Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, Tirana mbetet jashtë Europës

KUPA E SHQIPËRISË


Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë për sezonin 2018-2019 në edicionin e 67-të të saj, duke mundur Tiranën 2-1 në “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka e mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke arritur objektivin e fitores së Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm. Ndërsa Tirana, veç faktit që i mbijetoi rënies nga kategoria, pjesa tjetër e sezonit ishte një dështim, që duhet harruar sa më parë.

Sa i përket ndeshjes, ishte Kukësi që dominoi 90-të minutat e lojës, duke kaluar në avantazh që në fillimin e pjesës së parë. Vasil Shkurtaj realizoi në minutën e 4` për ë tijët, ndërsa pjesa e parë do të mbyllej vetëm me këtë gol.

Në pjesën e dytë Tirana barazoi me anë të Majkëll Ngo, në minutën e 66-të. Barazimi i kryeqytetasve zgjati vetëm 12 minuta, sepse në minutën e 78-të, Arturo Reginaldo shënoi golin e dytë dhe atë të fitores.

Ky ishte trofeu i dytë i Kupës së Shqipërisë për Kukësin, që arrinë të triumfojë përsëri në më pak se pesë vite. Medaljet dhe trofeun për  fituesit e kësaj Kupe i dorëzuan, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF, Edvin Libohova dhe Sekretari i Pergjithshëm, Ilir Shulku.

Përpara dorëzimit të medaljeve dhe trofeut për ekipin fitues, është dorëzuar edhe çmimi i golashënuesit më të mirë për sulmuesin e Kukësit, Arturo Reginaldo, nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.



Skip to toolbar