Kupa/ Shënkolli shtang Tiranën, fitojnë pretendentët

Janë luajtur të mrëkurën pasdite ndeshjet e turit të parë kualifikues të Kupës së Shqipërisë. Në grupin A, ka pasur surpriza me disa ekipe të Superligës. Tirana ka barazuar 0-0 me Shënkollin, duke befasuar jo pak tifozët, të cilët prisnin më shumë nga ky takim.

Ndërkohë, Teuta ka mundur 2-0 Tërbunin, ndërsa Partizani ka fituar në transfertë ndaj Vorës me rezultatin 3-0. Surpriza më e madhe e Grupit A ka qenë Flamurtari, që pas katër dështimesh në kampionat me 4 humbje, është mundur dhe në ndeshjen e Kupës nga Veleçiku me rezultatin 3-2.

Ndërkohë, në takimet e tjera të këtij grupi, Dinamo është mundur nga Erzeni, me ekipin shijakas që shënoi tre herë në portën e Bluve të kryeqytetit. Ndërkohë, Korabi ka mundur Besëlidhjen me rezultatin 2-1, ndërsa Iliria po 2-1 ka fituar derbin ndaj Kastriotit. Ndërkohë, ndryshe nga Grupi A, në grupin tjetër nuk ka pasur surpriza të mëdha. Vetëm barazimi 0-0 i Laçit me Elbasanin ka prishur rezultatet pozitive të ekipeve të tjera të Superligës.

Kukësi ka fituar 3-1 ndaj Shkumbinit, ndërsa Skënderbeu ka fituar derbin e juglindjes me Devollin me rezultatin 4-1, ndërsa Luftëtari ka mundur Turbinën me rezultatin 1-0. Bylis është pothuajse i kualifikuar për turin tjetër, pasi ka fituar 4-0 në transfertë ndaj Pogradecit, ndërsa në takimet e tjera, Lushnja ka fituar 2-1 ndaj Orikut.

Ndërkohë, Apolonia ka fituar në tavolinë 3-0 ndaj Kamzës, pasi ekipi mik nuk është paraqitur në këtë takim. Në fakt, Kamza është pa ekip pas dënimit që mori nga Federata Shqiptare e Futbollit për dhunën ndaj arbitrit në një ndeshje të sezonit të kaluar.

Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, Tirana mbetet jashtë Europës

Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë për sezonin 2018-2019 në edicionin e 67-të të saj, duke mundur Tiranën 2-1 në “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka e mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke arritur objektivin e fitores së Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm. Ndërsa Tirana, veç faktit që i mbijetoi rënies nga kategoria, pjesa tjetër e sezonit ishte një dështim, që duhet harruar sa më parë.

Sa i përket ndeshjes, ishte Kukësi që dominoi 90-të minutat e lojës, duke kaluar në avantazh që në fillimin e pjesës së parë. Vasil Shkurtaj realizoi në minutën e 4` për ë tijët, ndërsa pjesa e parë do të mbyllej vetëm me këtë gol.

Në pjesën e dytë Tirana barazoi me anë të Majkëll Ngo, në minutën e 66-të. Barazimi i kryeqytetasve zgjati vetëm 12 minuta, sepse në minutën e 78-të, Arturo Reginaldo shënoi golin e dytë dhe atë të fitores.

Ky ishte trofeu i dytë i Kupës së Shqipërisë për Kukësin, që arrinë të triumfojë përsëri në më pak se pesë vite. Medaljet dhe trofeun për  fituesit e kësaj Kupe i dorëzuan, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF, Edvin Libohova dhe Sekretari i Pergjithshëm, Ilir Shulku.

Përpara dorëzimit të medaljeve dhe trofeut për ekipin fitues, është dorëzuar edhe çmimi i golashënuesit më të mirë për sulmuesin e Kukësit, Arturo Reginaldo, nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Të dielën finalja, Ardi Mema: Nëse fitojmë Kupën e Shqipërisë, harrojmë disa gjëra!

Tirana do të përballet të dielën me Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen që është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri i skuadrës bardheblu, Ardian Mema, ka folur në konferencë për shtyp një ditë para kësaj ndeshje. Mema u shprehur se ekipi ka bërë ndeshje të mira gjatë sezonit, por, shton ai, Tiranës nuk i pranohet kjo gjendje, ndaj duhet të ulet për të analizuar gjithçka me drejtuesit.

“Tirana ka bërë shumë ndeshje të mira, të paktën shumica. Mund të bëjmë gjëra më të mira, por kjo i takon të ardhmes. Klubi dhe unë duhet të ulemi të bëjmë analiza të thella, pasi bëhet fjalë për tre sezone dhe nuk janë pak, që Tirana nuk del në origjinën e saj. Më kanë thënë urime pas ndeshjes, por ajo që them unë që është e turpshme kjo gjendje e Tiranës”, ka thënë Mema.

Lidhur me takimin ndaj Kukësit, trajneri i bardhebluve është shprehur se skuadra nuk duhet të humb ritmin. “Nuk do ta ulim ritmin asnjë moment. Është ndeshje e fundit dhe i vendos kapakun të gjithave. Për mua sezoni nuk është i suksesshëm, pasi Tirana ka diskutuar mbijetesën deri në javën e fundit. Nëse fitohet kupa ndoshta kjo nuk është gjë e mirë që ta them, por do të harrohen disa gjëra. Nuk mund të harrohen kurrësesi, pasi në futboll duhet të kujtohen gabimet dhe jo rezultatet e mira”, është shprehur Ardi Mema.

Ai ka folur dhe për liçensimin e klubit për kupat e europës, pasi Tirana nëse fiton Kupën e Shqipërisë, do të luajë në Europa League. “Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet zyrtarëve të Tiranës. Detyra ime është të punoj dhe të luftoj për të fituar Kupën. Pjesa tjetër janë raportet e Tiranës dhe federatës. Është një pyetje që mund të drejtohet te shefi i klubit. Të them të drejtën di diçka, por jam trajner dhe duhet të fitoj çdo gjë. Nuk më intereson kjo pjesë. Hapi i radhës është Kupa dhe më duhet ta fitoj”, ka përfunduar trajneri.

Protesta e opozitës rrezikon zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë

Të dielën më 2 qershor do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Kukësit. Takimi është vendosur të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00, ndërsa një ditë më parë dolën në shitje dhe biletat për këtë ndeshje. Mirëpo në të njëjtën ditë, ndoshta dhe në të njëjtën orë, pritet të mbahet protesta e shtatë kombëtare e opozitës në kryeqytet.

Duke pasur parasysh protestat e mëparshme të opozitës, policia pritet të angazhojë 1200 deri në 1500 efektivë policie për garantimin e sigurisë publike. Një pjesë e konsiderueshme e efektivëve të policisë vijnë nga Drejtoritë Vendore të Policisë nga Qarqet më të afërta, përfshi Elbasanin. Kjo do të thotë se do të reduktohet numri i efektivëve të policisë që do të jenë në detyrë për të garantuar sigurinë publike në qytet dhe aktivitete të ndryshme të jetës publike, përfshi dhe ato sportive.

Në këtë logjikë rrezikon pikërisht edhe ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë Tirana-Kukësi, pasi një pjesë e konsiderueshme e Bluve të Elbasanit, përfshi RENA, FNSH DHE SHQIPONJA, do të jenë në Tiranë te protesta e opozitës. “Sa herë ka protestë opozita ne dërgojmë forca policie në Tiranë. Për ndeshjen e të dielës ende nuk kemi një vendim, mund të dërgojmë efektivë në stadium, por varet nga numri që do të kërkohet, pasi është ndeshje e rëndësishme”, i tha një burim i sigurt në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, RealStory.al.

Megjithatë, një tjetër burim pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u shpreh “nuk kemi asnjë ndryshim plani deri tani. Kanë dalë në shitje biletat dhe presim që ndeshja të zhvillohet”. Gjithësesi, gjatë ditës së sotme pritet të vendoset përfundimisht se çfarë do të bëhet, pasi pas datës 1 qershor nis zyrtarisht dhe fushata për zgjedhjet elektorale nga Partia Socialiste, e cila praktikisht mund të zhvillojë aktivitete në fundjavë duke kërkuar edhe mbështetjen e policisë për mbarvajtjen e tyre.

Në këto kushte policisë i shtohet më shumë punë, pasi në të njëjtën ditë do të duhet të kryejë detyrat e saj funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, të garantojë sigurinë gjatë protestës së opozitës dhe njëkohësisht finalen e Kupës së Shqipërisë.

Besar Musolli: Të ardhmes nuk i dihet, dua të fitoj kupën me Kukësin!

Besar Musolli ka shoqëruar trajnerin Ernest Gjoka në konferencën për shtyp gjatë ditës së sotme. Kapiteni i skuadrës verilindore ka folur për disa tema, duke treguar se synon të fitojë përsëri Kupën e Shqipërisë me Kukësin. Musolli ka shprehur dëshirën për të qëndruar, por gjithësesi, ai ka lënë të kuptohet se gjatë verës gjërat mund të ndryshojnë.

Distanca e madhe nga Partizani – “Sa kam unë të Kukësi, nuk kemi qenë kurrë më kaq probleme në një sezon. Kaq shumë dëmtime e probleme, kjo është një arsye e madhe për distancën nga kreu. Në fillim të vitit ishim ner rregull, por më pas ishin të papritura shumë dëmtime”.

Kupa – “E kam fituar edhe më parë, shpresoj ta fitojmë sërish, sepse jemi në një moment të mirë”.

E ardhmja – “Për momentin mendojmë ta mbyllim sezonin me sukses. Unë dua të qëndroj, është shtëpia ime, por nuk i dihet të ardhmes”.

Skënderbeu – “Është e rëndësishme, Skënderbeu është rival historik prej vitesh dhe ndeshjet me ta kanë qenë shumë të luftuara”.

Fokusi – “Mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, ka kohë për finalen. Duam 3 pikë qetësie”.

Stadiumi – “Kam qenë i mendimit që të luajmë gjithnjë në Elbasan. Për mua në Kamzë nuk janë të gjitha kushtet, por për shkak të tifozerisë luajmë aty”.

Kukësi shkon në finalen e kupës, Skënderbeu dorëzohet përfundimisht!

Kukësi është finalisti tjetër i Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të ketë Tiranën më 2 qershor. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka arritur të kualifikohet pas dy ndeshjeve të fituara ndaj Skënderbeut, me takimin e parë të luajtur në Kamëz (2-1) dhe takimin e sotëm që u mbyll 1-3 për Kukësin.

Sakaq Skënderbeu e ka mbyllur pa lavdi këtë sezon, duke pasur parasysh faktin se korçarët rrezikojnë të mos arrijnë zonën e Europës, ndonëse ende nuk ka dalë dhe vendimi i CAS në lidhje me dënimin e UEFA-s.

Skuadra verilindore ka zhbllokuar takimin me Reginaldon, duke shënuar me kokë nga brenda zonës. Më pas, një autogol i Abazit tre minuta para përfundimit të pjesës së parë i ka dhënë dyfishimin e rezultatit skuadrës së Gjokës.

Megjithatë, Skënderbeu ka ngushtuar shifrat pas pushimit të pjesës së parë me Dejvi Bregun. Por Valdet Rama ka trefishuar dhe vulosur takimin për 3-1 në favor të Kukësit, duke i hequr shansin Skënderbeut për të mbrojtur trofeun e fituar vjet në finale ndaj Laçit.

Tirana me “5 yje”, mposht Luftëtarin dhe shkon në finalen e kupës!

Tirana mund Luftëtarin dhe shkon në finalen e Kupës së Shqipërisë. Një ndeshje spektakolare, që prodhoi tetë gola, 5 për bardheblutë dhe tre për bluzinjtë, të cilët nuk ja dolën të bënin një mrekulli në kryeqytet.

Kualifikimi për në finalen e kupës është disi ngushëllues për Tiranën, që ka bërë një sezon me ulje e ngritje, teksa tensioni është shtuar javët e fundit për shkak të shtimit të rrezikut për për rënien nga kategoria.

Tirana ka kaluar vetëm pas 21 minutash lojë, teksa Asion Daja ka shënuar një eurogol me roveshatë. Megjithatë, Realdo Fili ka barazuar në minutën e 41′, duke krijuar iluzione për Luftëtarin.

Tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Cobbinah ka shënuar nga penalltia, duke rikthyer Tiranën në avantazh, ndërsa pesë minuta më pas Ngoo ka trefishuar për Tiranën.

Sentamu ka shënuar golin e katërt për Tiranën, ndërsa miqtë kanë ngushtuar me Oshafin dhjetë minuta para fundit. Megjithatë, Sentamu ka menduar të thellojë rezultatin duke shënuar për 5-2 për Tiranën, ndërsa minutën e fundit të takimit, Luftëtari ka shënuar edhe golin e tretë me Nezirin.

Kupa, Tirana dhe Luftëtari e vendosin në kthim kualifikimin!

Një ndeshje e luftuar, me raste të shumta, por rrjetat mbetën të paprekura deri në fund. Luftëtari dhe Tirana e kanë mbyllur në barazim 0-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Një rezultat që i shkon më shumë për shtat ekipit bardheblu, që ndeshjen e kthimit e luan në shtëpi.

Në minutën e 62-të, vendasit kanë pretenduar për një penallti për shkak të një ndërhyrje të parregullt të Hoxhallarit ndaj Ymerajt, por arbitri Jorgji nuk ka qenë i këtij mendimi.

Për të zbuluar se cila nga këto dy ekipe do të luajë në finalen e Kupës së Shqipërisë do të duhet të presim sfidën e kthimit, që do të luhet 8 majin e ardhshëm në “Selman Stërmasi”.

Sakaq, Tirana dhe Luftëtari do të përballen përsëri mes tyre pas pak ditësh, këtë herë në kampionat, ku ekipi bardheblu synon tre pikët për t’ju larguar rrezikut të rënies nga kategoria.

Kupa, Kukësi mund Skënderbeun, por gjithçka mbetet e hapur!

Kukësi mundi 2-1 Skënderbeun në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen e luajtur në stadiumin e Kamzës.

Një ndeshje plot emocione, me të dyja skuadrat që prodhuan shumë raste, ashtu sikundër shënuan tre gola e shpërdoruan mundësi të arta.

Për ekipin e Ernest Gjokës shënuan Reginaldo dhe Shkurtaj, ndërsa për Skënderbeun ngushtoi rezultatin i rikthyeri nga dëmtimi, Dejvi Bregu.

Goli i parë i verilindorëve erdhi në minutën e 21′, me Reginaldo që brenda zonës mposht portierin kundërshtar.

Shkurtaj dyfishoi në të 55′ pas një rreshtimi skandaloz të mbrojtjes mike për 2-0. Skënderbeu vazhdon të çalojë në mbrojtje.

Gjërat po shkonin si duhet për Kukësin, derisa në minutën e 62′, Stivi Frashëri i krijon mundësinë Dejvi Bregut të ngushtonte rezultatin 2-1, që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.

Kupa, Gjoka: Me Skënderbeun vendos përvoja, mungesat janë problem!

Kukësi do të përballet me Skënderbeun në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke synuar përsëritjen e suksesit të disa sezoneve më parë.

Ernest Gjoka ka folur në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, duke theksuar se skuadra është penalizuar nga mungesat e shumta.

Megjithatë, ai shprehet optimist dhe beson shumë në kualitetet e skuadrës, përfshi sulmuesit, që sipas Gjokës, ka dyshen më të mirë të kampionatit.

Ndeshja më e rëndësishme? – E vërtetë, shumë e rëndësishme për objektivat e klubit. Vendi i parë në kampionat është larg, ndaj kupa merr rëndësi të dyfishtë. Do të mundohemi të bëjmë mirë dhe të vazhdojmë përpara.

Mungesat? – Problem shumë i madh, Shameti, William Cordeiro, Valdet Rama, Dzaria, Maliqi, Musolli. Jemi të penalizuar, kaq shumë mungesa do i krijonin probleme kujtdo. Gjithsesi, kam besim, sepse këto ndeshje janë përmbledhja e një viti më sakrifica. Janë të gjithë lojtarë titullarë, janë shumë mungesa dhe e pranoj që na prishin shumë punë. Kam shpresë të madhe se nëse do jemi kompaktë pas, duke pasur lojtarët që kemi përpara mund të shënojmë gjithnjë.

Marrëdhënia me Gjicin? – E dini që ai kërkon gjithnjë sukses dhe na kërkon të kualifikohemi. Ai priste të luftonim për titull, është i bindur se duhet të luftojmë deri në fund edhe në kampionat. Pak zhgënjim ka pasur, por nëse fitojmë Kupën kjo skuadër ka të ardhme të rëndësishme dhe pak përforcime do i duhen.

Kupa? – Duhet kujdes, për të mos pësuar gol në radhë të parë, sepse janë ndeshje specifike, duhet të mendojmë edhe për kthimin.

Ndryshimet në skemë? – Do të bëjmë, jemi të detyruar, por kam besim tek të gjithë lojtarët.

Skënderbeu? – Klub i madh, me skuadër cilësore dhe eksperiencë e mentalitet fituesi, por edhe ne nuk mbetemi pas në këtë drejtim.

Skënderbeu me i dobët? E vërtetë, por ka ende disa lojtarë me eksperiencë e shumë cilësi. Këto janë ndeshje ku vendos përvoja, ndaj duhet vlerësim maksimal.

Luhet në Kamzë? – Sigurisht kam folur me ekipin dhe skuadrën. Na duhet shtëpi, Kamza është zgjedhja ideale. Tifozët nuk vijnë dot në Elbasan e Shkodër, Kamza është e vetmja alternativë ku kemi tifozët më vete. Natyrisht, fusha nuk është super, por do ta kompensojnë tifozët.

Presioni mbi ekipin? – Trajneri këtë detyrë ka, të bëjë urën lidhëse mes ekipit e presidentit. Unë e kam për detyrë të ul presionin mbi ekipin, sepse jo gjithnjë mund të fitohet në futboll. Unë jam i hapur të përballem me presidentin për çdo diskutim, pa lënë që skuadra të përballet me kritikat. Te Kukësi luhet për titull, këtë e di unë dhe e dinë mirë edhe lojtarët, që nuk kanë qetë të qetë, por janë përshtatur shumë shpejt me atë që dua.

Rexhinaldo e Shkurtaj, çfarë ka ndryshuar? – Unë kërkoj të luaj me 2 sulmues. Është fat i madh që kam gjetur këtu Rexhinaldon, që e doja që kur isha herën e fundit të Kukësi, dhe Shkurtaj, dy sulmuesit më të mirë në Shqipëri. Janë lojtarë me tipare të ndryshme, dinë të përshtaten dhe do mundohem t’u marr maksimumin, duke luajtur bashkë. Janë dy shënuesit më të mirë, janë sulmuesit më të mirë, më thoni kush janë mbi ta. Do ta shihni që shumë shpejt do kemi një sulm edhe më të fortë.

Garancia për të ardhmen? – Vetëm suksesi, çdo trajner është me çantën gati dhe varet nga rezultatet.

Skip to toolbar