Kukësi me hap kampioni, Bylis e ndjek. 5 të kuq në Teuta-Partizani

AKTUALITET


Java e 16-të e Superligës dhuroi rezultate surprizë, duke ndryshuar përsëri pozitat e disa ekipeve në renditjen e përgjithshme të kampionatin. Kukësi konfirmoi se mbetet pretendent kryesor për të fituar kampionatin dhe këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro mundi Vllazninë me rezultatin 2-1, duke marrë tre pikë që e shkëpusin në renditje nga rivalët e tjerë në luftën për trofeun e kampionatit.

Rroca në të 9` dhe Shkurtaj në të 51`, shënuan dy golat për Kukësin, ndërsa Zogaj ngushtoi shifrat në 1-2 në të 74` për Vllazninë. Verilindorët shkojnë në kuotën e 30 pikëve në vendin e parë, 3 më shumë se Bylis i vendit të dytë dhe 5 më shumë se Laçi i vendit të tretë.


Në fakt, skuadra mallakastriote fitoi të mërkurën ndaj kurbinasve me rezultatin minimal 1-0, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm në kampionat. Bylis shënoi me anë të Goxhaj në të 80`, gol që mjaftoi për tre pikët e skuadrës së Dovedan, që tashmë mban vendin e dytë në kampionat.

Ndërkohë, Teuta mundi Partizanin me rezultatin 1-0 me gol të shënuar nga Kallaku në të 45`, por më shumë se sa fitorja e durrsakëve, episodi që tërhoqi vëmendjen ishte sherri mes lojtarëve të të dyja skuadrave në të 64`.

Për këtë arsye, arbitri i ndeshjes dha 4 kartonë të kuq, ndërsa Shkalla për Teutën u ndëshkua gjithashtu me të kuq në të 90`, duke e çuar numrin e kartonëve në 5 të kuq e 5 të verdhë. Surpriza tjetër ishte fitorja e Luftëtarit ndaj Skënderbeut me rezultatin 2-0 në Gjirokastër. Me dygolëshin e Likës, skuadra gjirokastrite mori tre pikë të rëndësishme, që i japin një mundësi në luftën për mbijetetsë.

Aktualisht, Kukësi kryeson kampionatin me 30 pikë, në vendin e dytë është Bylis me 27 pikë, ndërsa Laçi, Partizani dhe Teuta kanë nga 25 pikë, Vllaznia me 23 pikë ndodhet në vendin e 6, Tirana me 22 ndodhet në vendin e 7, ndërsa Skënderbeu me 20 ndodhet në vendin e 8. Luftëtari ndodhet në vend të parafundit me 11 pikë ndërsa Flamurtari në vendin e fundit ka 6 pikë.




Skip to toolbar