“Babalja”, Gjykata dënon me 1 vit burg ish-deputetin e PD, Ervin Salianji

AKTUALITET


Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me 1 vit burg ish-deputetin e PD-së Ervin Salianji, në lidhje me çështjen ‘Babalja’. Po ashtu togat e zeza, të kryesuara nga gjyqtari Artan Gjermeni kanë dhënë 2 vite burg për Fredi Alizotin, ndërsa për Albert Veliun 3 vjet 5 muaj burg. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, gjykata vendosi 6 muaj burg që do i konvertohen me 100 orë punë me interes publik. Pavarësisht vendimit për Salianjin, ku gjykata rrëzoi kërkesën që ish deputetit t’i konvertohet burgu me shërbim prove, demokrati nuk do të arrestohet, pasi duhet të ketë vendim të formës se prerë.

Në pretencën e saj, Prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së Ervin Salianji, dënim që konvertohet në 3 vite shërbim prove sa i takon akuzave për çështjen ‘Babalaja’, ku vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Xhafaj, Agron Xhafaj u akuzua për trafik droge.


Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj ka kërkuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Albert Veliun, i cili akuzohet për ‘Kallëzim i rremë’ dhe ‘kalim të paligjshëm të kufirit’, ndërsa për Fredi Alizotit, 3 vite burg. Ndërkohë për gazetarin Jetmir Olldashin prokuroria kërkoi 1 vit burg, dënim ky që të zëvendësohet me 200 orë pune publike të detyruara.

Ish-deputeti Salianji akuzohet për kallëzim të rremë në çështjen që njihet si “Babalja” dhe para se ai të përballet me konkluzionet e prokurorisë, në mbështetje të tij, janë mbledhur në gjykatë ish deputetët e PD. I vetmi person që ndodhet në burg për këtë çështje është Fredi Alizoti, i cili akuzohet se është ai personi që ka imituar zërin e Agron Xhafës, vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt. Ndërsa ish deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, akuzohen se kanë kryer kallëzim të rremë.

Sipas organit të akuzës, regjistrimet e publikuara, ku flitej për pazare droge, nuk janë origjinale. “Në bisedën e dytë dëgjohet zëri i një burri të dytë. Kampioni i zërit të emërtuar ‘Agroni’ është i një cilësie të dobët. Ky zë nuk është i Agron Xhafajt. Salianji ka bërë kontaktin mes Albert Veliut dhe Jetmir Olldashit”, mësohet të ketë thënë prokurori i çështjes. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Agron Xhafajt ka kërkuar në seancë gjykimin e fajtorëve. Tashmë seanca e radhës është më 18 dhjetor, pasi dhe avokatët kanë kërkuar kohë për konkluzionet e mbrojtjes.

Por, ajo që vihet re është se prokuroria nuk ka kërkuar një dënim të fortë për ish-deputetin, pasi organi i akuzës ka gjetur një të mesme për të pandehurin Salianji. Neni 305 i Kodit Penal, ku parashikohet vepra penale e kallëzimit të rremë, parashikon dënim nga gjobë deri në pesë vite burg, por që prokuroria ka kërkuar vetëm 1.6 vite burg për Salianjin, që automatikisht konvertohet në dënim me shërbim prove.

Çështja e njohur si “Babale” u bë një temë e nxehtë e politikës shqiptare, duke e bërë situatën më të polarizuar, pasi opozita pretendonte se ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kishte mbrojtur vëllain e tij, Agron Xhafaj, të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg në Itali. Pasi u publikua audio-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane dhe është në qeli, ndërsa Prokuroria nisi paralelisht një hetim.




Skip to toolbar