Do të duhet të presë deri pak orë para sfidës. Rolando Maran tashmë është në prag të debutimit të tij në drejtimin e përfaqësueses shqiptare të futbollit, ndërsa këtë të martë pasdite përfundoi përgatitjet për miqësoren ndaj Izraelit.
Ndaj hebrejve luhet këtë të mërkurë në orën 20:00 në “Arenën Air Albania” në kryeqytet, dhe pikërisht aty kuqezinjtë zhvilluan seancën e dytë dhe të fundit përgatitore.
Lajmi kryesor ishte mungesa e Myrto Uzunit, I cili sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) po kalon një gjendje gripale, dhe u pa e arsyeshme të mos ngarkohej.
Nuk është e sigurt nëse sulmuesi që luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë I gatshëm për ndeshjen.
Pjesa tjetër e ekipit ishte krejt në rregullt, bashkë me mbrojtësin e Dinamos, Aliji, I cili I nisi përgatitjet më vonë për shkak se luajti në ndeshjen e fundit të Superligës ndaj Egnatias.
Më herët, nga kombëtarja u largua mbrojtësi tjetër, Ardian Ismajli, I dëmtuar, ndërsa për shkak lëndimi nuk u thirrën fare këtë herë portieri Strakosha, si dhe futbollistët Manaj, Muçi dhe Gripshi.
Sipas informacionit nga Federata, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Maran zhvilluan përgatitje fizike, teknike dhe taktike, dhe gjendja e tyre emocionale duket e mirë.
Shqipëria luan këtë të mërkurë në orën 20:00 miqësoren ndaj Izraelit, ndërsa në 6 qershor pret Luksemburgun, gjithashtu në “Arenën Air Albania”.
