Papa zgjedh zëdhënësen/ Për herë të parë një grua laike në postin e rëndësishëm të kishës

BOTA


Papa Leoni XIV ka emëruar për herë të parë një grua laike në një nga postet më të larta drejtuese të Kishës Katolike Romake. Maria Montserrat Alvarado, aktualisht presidente e rrjetit mediatik katolik amerikan Eternal World Television Network , do të marrë drejtimin e Dikasterit për Komunikimin në Vatikan, një departament kyç i krijuar nga Papa Françesku në vitin 2015.

Alvarado, e lindur në Meksike dhe shtetase amerikane që prej vitit 2008, do të nisë detyrën më 1 nëntor, duke zëvendësuar Paolo Ruffinin, i cili po del në pension. Dikasteri që ajo do të drejtojë mbikëqyr faqen zyrtare të lajmeve të Vatikanit, radion, gazetën, zyrën e shtypit, shtëpinë botuese dhe arkivin filmik të Selisë së Shenjtë. Sipas Vatican News, Alvarado është gruaja e parë e cila nuk vjen nga rradhet fetare që emërohet prefekte e një dikasteri të Selisë së Shenjtë. Në reagimin e saj të parë, ajo e cilësoi emërimin si “të papritur”, por tha se e pranon detyrën me dëshirën për t’i shërbyer Papa Leo XIV në fillimin e pontifikatit të tij.

Emërimi i saj shihet si vazhdim i reformave të nisura nga Papa Françesku, i cili gjatë 12 viteve në krye të Kishës Katolike rriti ndjeshëm rolin e grave në administratën e Vatikanit. Pak para vdekjes së tij, Françesku emëroi dy murgesha në poste të larta drejtuese dhe kritikoi atë që e quajti “mentalitet shovinist” brenda Kishës.

Papa Leo XIV ka sinjalizuar gjithashtu se synon të vazhdojë modernizimin e komunikimit të Vatikanit. Në fund të qershorit ai do të mbledhë kardinalët për të shqyrtuar efektivitetin e komunikimit kishtar dhe mënyrat për ta bërë më të qartë misionin e Kishës në botë.

Gjatë pontifikatit të Papa Françeskut, Eternal Wordl Television Network I cili drejtohej nga Maria Montserrat Alvarado ishte kritikuar shpesh për transmetimin e qëndrimeve kundërshtuese ndaj papës argjentinas. Në vitin 2021, Papa Françesku e cilësoi një pjesë të kësaj kritike mediatike si “vepër të djallit”, komente që u interpretuan gjerësisht si të drejtuara ndaj Eternal World Television Network.



Skip to toolbar