Ish presidenti Bamir Topi ka botuar së fundi librin me kujtime “Nocturn”, kur përshkruan ngjarje nga jeta politike. Gazetat sot kanë shkëptur një pjesë ku ish presidenti Topi ka përshkruar momentin e futjes në politikë të Bujar Nishanit. Topi shkruan se Bujar Nishani ishte thjeshtë një punonjës karburanti tek Plepat në Durrës kur ai e futi në politikë dhe e takoi për herë të parë me Sali Berishën.
“–Mendoj që pas rezultateve zhgënjyese, Shaban Memia duhet të lirohet nga detyra e sekretarit, -tha ai (Berisha). Vendosa të mos shprehesha dhe të dëgjoja se ku do të dilte. -Unë nuk kam një emër për ta zëvendësuar dhe po e pate ndonjë, na thuaj ta propozojmë në mbledhjen e radhës në Kryesisë, – tha Berisha. Pas një pauze të shkurtër i them se nuk kam përse mendohem, sepse e kam një emër. -Cili është? -Është personi që ka qenë kryetar komisioni në zonën tim elektorale, Bujar Nishani quhet, – i thash duke menduar se do e njihte ndopak. -Nuk e njoh, çfarë profesioni ka ky? -Ka qenë oficer dhe tani punon në një biznes privat, i punësuar. E lash shpjegimin me kaq, për të mos e ndërlikuar situatën, duke mos i thënë që punonte në një pikë karburanti. Në fakt unë doja shumë që aty të ishte Bujari, pasi krijova konsideratë për të dhe doja t’ia ‘shpërbleja’ angazhimin që pati në punën e komisionit të zonës sime, ku beteja zgjedhore ishte një nga më të fortat në Tiranë. Berisha, pasi u mendua pak, me sa duket duke mos pasur ndonjë emër tjetër në mendje vazhdoi: Hajde nesër së bashku me të, ta takoj njëherë!”, shkruan Topi I cili më pas shton se Nishani I ka dalë kundër në 2007 kur ai do të kandidonte si president. Madje Topi shkon më tej duke e cilësuar Nishanin “intelektual mediokër dhe servil i Sali Berishës”.
I menjëherëm ka qenë reagimi i ish presidentit Bujar Nishanit. Ai shkruan sot se nuk i është dashur kurrë të punojë se pompist por nëse do kishte nevojë do e kishte bërë edhe atë punë. Ai gjitashtu tregon se kur hyri në presidencë pas Bamir Topit e gjeti atë të kthyer në një mensë.
“Nuk kam preferuar kurrë ti kundërpërgjigjem provokimeve dhe sulmeve të ndërsyera të Bamir Topit vetëm për një arsye.
Duke e njohur mirë atë njeri, që për shkak të kompleksit të thellë të inferioritetit që e karakterizon, është përpjekur gjithë jetën e tij vegjetative të ndërtojë kontraste haluçinante me të tjerët që e mundonin me qënien e tyre.
Nuk kam reaguar as kur mora detyrën e Presidentit të Republikës dhe u skandalizova kur e gjeta institucionin më të lartë të Shtetit Shqiptar të kthyer në një vend ku kalbeshin mbeturina të hedhura prej vitesh, e ku vendi më i investuar ishte kuzhina e gatimit dhe menca e ngrënies.
Në fakt nuk mund ta mendoja më parë se si zyra e Kryetarit të Shtetit të kthehej në kuzhinë gatimi e ngrënie.
Natyrisht që e ktheva urgjentisht atë ambient në një bibliotekë e dhomë për median dhe të gjithë ambientin e Presidencës në një vend dinjitoz për shtetin e qytetarët.
Tashmë Bamiri më paska bërë edhe pompist karburanti !!!
Të punosh pompist nuk është ndonjë gjë e keqe aspak.
Kam respektin dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që bëjnë atë punë.
Ajo është shumë më e ndershme se sa p.sh. ti ushqesh fëmijët me paratë që ju merr si gjoba gjyqtarëve e prokurorëve.
Por mua nuk më është dashur të punojë kurrë si pompist.
Nëse do ta kisha të nevojshme atë punë do ta bejë pa asnjë problem”, shkruan Nishani.