Deputeti i opozitës në Kuvend Ralf Gjoni tha se ka një vakum ligjor në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, madje për të edhe personat e zgjedhur nuk plotësojnë kriteret e kërkuara. Gjoni tha në emisionin “Real Story” në News 24 se dëshironte që mes kandidaturave të kishte garë, por sot ndodhen në pamundësi zgjedhje.
“Disa kandidatë për Gjykatën Kushtetuese kanë mangësi që duhen komentuar. Për mua nuk përbën problem të madh nëse zgjidhet nga një apo dy kandidatë njëherësh, duke marrë parasysh ku ndodhet drejtësia. Ajo që më shqetëson është që të qartësohet procedura e përzgjedhjeve. Është e rëndësishme që të na vijnë lista me 3 emra sepse kështu thotë ligji. Unë nuk mendoj që jemi përball një situate që kemi mundësi zgjedhje për të luajtur një rol me skanues në Kuvend se kush është më i miri” tha Gjoni.
Gjoni hodhi akuza edhe ndaj partive politike se nuk kanë vullnet dhe dëshirë që në vend të vendoset drejtësia dhe se Reforma në Drejtësi të veprojë së bashku me institucionet e saj të reja. Gjoni tha se i vetmi që ka investuar dhe e kërkon drejtësinë në Shqipëri është SHBA.
“Ne jemi këtu ku jemi, sepse asnjë nga palët politike nuk kanë pasur asnjëherë vullnet që ky vend të kishte drejtësi. Të vetmit aktorë në Shqipëri dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët, që kanë investuar fort, kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”-tha Gjoni.