Ralf Gjoni me projekte të reja politike

POLITIKË


Deputeti i opozitës parlamentare Ralf Gjoni duket se ka plane afatgjatë në politikë dhe ato lidhen me krijimin e një partie të re. Gjoni tha se ka projekt të krijojë një parti të re dhe aktualisht është në bisedime me faktorë brenda dhe jashtë parlamentit. Për Gjonin qytetarët shqiptarë nuk kanë pse të jenë pengë të “pleqve” të politikës dhe se vendi ka nevojë për më shumë opsione për të inkurajuar pluralizmin dhe të mos mbetet peng i vetëm 2-3 partive.

E kemi menduar, nuk jam ende gati të shprehem. Po patjetër. Çfarë ka të mendosh për një projekt politik, nuk ka asgjë të keqe, do të inkurajoja një pluralizëm politik. Shqiptarët kanë nevojë për shumë oferta, pse duhet të jemi peng i 2-3 partive. E kam menduar, por nuk kemi një plan konkret për momentin. Jemi duke biseduar me disa faktorë brenda dhe jashtë parlamentit. E kam bindje se Shqipërisë i duhet një projekt, një lëvizje e re politike. Projekteve të lodhura të pleqve politikë u mungon integriteti” tha Gjoni për Report Tv


Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Gjoni i ka bërë thirrje opozitës të jetë pjesë e komisionit të saj për diskutim, në të kundërt do të humbasin mbështetjen e ndërkombëtarëve. Gjoni tha se e mirëpresin opozitën jo parlamentare duke i kujtuar atyre se ky është shansi i vetëm që kanë për të hyrë sërish në rrugën e institucioneve, në të kundër do mbeten jashtë dhe do humbasin edhe atë mbështetje ndërkombëtare që gëzojnë aktualisht, edhe pse marrëdhëniet janë ftohur ndjeshëm, që pas djegies së mandateve dhe dhunës në protesta. Gjoni u shpreh se ndryshimi i sistemit elektoral është thelbësor në mënyrë që shmanget pisllëqet që mund të gatuhen mes dy partive të mëdha PS-PD.

Nëse do të zgjedhin rrugën e bojkotit sikur kanë bërë me braktisjen e parlamentit kam frikë se do të ngelen jashtë sistemit dhe do të shpërbëhen. Do të ngelen jashtë loje si në shkurt, në korrik dhe kam përshtypjen se efektet elektorale do të jenë katastrofike për ato parti. Jeta institucionale është baza, dhe nëse këta duan të luajë në një fushë pa viza dhe pa rregulla kam frikë se do të jetë e papranueshme edhe për aleatët perëndimorë. Sa më shpejt që të ketë një meaculpa aq më mirë do të jetë edhe për atë. 

Ne duhet të demokratizojmë fillimisht sistemin të hapim garën dhe pastaj të shkojmë drejt zgjedhjeve të përgjithshme, por pa u kryer ndryshimet unë i shikoj zgjedhjet e parakohshme të pamundura. Shqipëria nuk duhet të ketë një sistem zgjedhor ku vota shitet dhe blihet. Një vend që është anëtar i NATO-s dhe synon BE-së nuk ka shanse të mos garantojë votën e lirë dhe të barabartë. Sistemi aktual pengon të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.” tha Gjoni




Skip to toolbar