Kandidati për Kushtetuesen, drejt shkarkimit. Meta e emëroi se “ishte mashkull”

#NËRADAR


Vetëm dy orë para se kandidati për Gjykatë Kushtetuese, Besnik Muçi të përballet me një dokument sekret në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, i cili mund të sjellë largimin e tij nga drejtësia, kreu i shtetit, Ilir Meta ka nxituar për ta emëruar atë anëtar të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ishte i fundit i renditur nga pikët në tre kandidatët që Presidenti mund të përzgjidhte. Ashtu siç e parashikon ligji për të argumentuar zgjedhjen e një prej kandidatëve kur nuk është i pari sipas renditjes nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Meta ka dhënë disa argumente mbi emërimin e Muçit, ku dy prej tyre ishin faktet se “ai është i vetmi i mashkull në listë” dhe që “emërimi u bë pa vonesë me qëllim që t’i hapë rrugë Kuvendit për të mos pasur përplasje mes kandidatëve të zgjedhur nga dy institucionet”, duke qenë se të njëjtit persona kanë kandiduar edhe në listën e Kuvendit, edhe në listën e Presidentit.

Besnik Muçi është kandidati i parë që zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese me ndryshimin e ligjit në kuadër të reformës në drejtësi, ndonëse ai ende nuk e ka përfunduar procesin e vettingut, pasi ashtu siç paralajmëroi Realstory.al pak orë para se të bëhet ky emërim, Komisioneri Publik e ka apeluar vendimin e KPK për shkak të një dokumenti sekret të DSIK në lidhje me katër persona që kanë marrëdhënie me Muçin, i cili pritet të deklasifikohet për t’ia bërë të njohur vetë prokurorit dhe që mund të rrezikojë largimin e tij nga drejtësia. Por, Meta nuk ka pritur dhe disa orë pasi të mësojë përmbajtjen e këtij dokumenti, duke vënë para faktit të kryer organet e vettingut për emërimin e Besnik Muçit anëtar të Gjykatës Kushtetuese.


Muçi u zgjodh për vakancën e shpallur më 7 shkurt 2018 nga Presidenti, për të cilën Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte pranuar katër kandidatura, konkretisht të renditur sipas pikëve nga Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti. Sipas ligjit, kreu i shtetit duhet të zgjidhte një nga tre të parët, pra Vorpsi, Toska dhe Muçi. Por, ligji parashikon që nëse Presidenti nuk zgjedh të parin, duhet të japë argumente bindëse për zgjedhjen e të dytit ose të tretit. Meta ka zgjedhur pikërisht të tretin dhe pasi ka bërë një rezyme të prokurorit Muçi për karrierën e tij, (e cila nuk hyn në argumente, pasi ajo është vlerësuar nga KED për pikët e marra për secilin kandidat), ka dhënë disa argumente se pse zgjodhi pikërisht të fundit. “Besnik Muçi është i vetmi kandidat magjistrat (Prokuror) i përfshirë në tri vendet e para të listës së kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance dhe në kushtet kur ai është dhe kandidati i vetëm i gjinisë mashkullore, atëherë këto janë disa arsye më shumë ligjore dhe objektive për përzgjedhjen e kësaj kandidature duke plotësuar njëkohësisht dhe kërkesat dhe frymën që dikton ligji nr.8577/2000”, deklaroi Meta.

Kreu i shtetit thotë se “ka vendosur që të shprehet pa vonesë për emërimin e kandidatit të përzgjedhur prej tij, në mënyrë që kjo vendimmarrje të pasohet me një vendimarrje të Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjen e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që Gjykata Kushtetuese të jetë sa më shpejt funksionale e aftë për të marrë vendime dhe për t’u dhënë zgjidhje kushtetuese një sërë çështjeve që shqetësojnë të gjithë jetën shoqërore në vend”. Tashmë pritet që Muçi të kalojë vettingun dhe më pas të marrë detyrën në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ai nuk kalon vettingun, ndryshe nga sa shprehet Meta, me këtë përzgjedhje të bërë nga kreu i shtetit, kjo vakancë digjet dhe duhet të rikthehet dhe një herë gara nga e para, duke vonuar kështu sërish ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e respektivisht trajtimin e shumë çështjeve që presin zgjidhje prej saj, siç janë edhe ato më të debatuarat, si kontestimi i 30 qershorit nga shoqatat e bashkive dhe shkakrimi i Presidentit, proces i ndërmarrë nga Kuvendi. Realstory.al




Skip to toolbar