Ndërron jetë “Daja” i futbollit shqiptar

AKTUALITET


Miço Papadhopulli fitoi plot 6 tituj kampion dhe të gjithë e thërrisnin “Daja” ndërsa të mërkurën është ndarë nga jeta. Ai njihet nga të gjithë si një nga figurat më të spikatura në futbollin dhe sportin shqiptar. Ai ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Miço Papadhopulli ishte ish-futbollist i Partizanit, trajner dhe pedagog i Institutit të  Fiskulturës, mbante titullin Prof.Doktor.


Papadhopulli ka qenë Presidenti i FSHF gjatë viteve 1997-2002 dhe prej vitit 2002 President Nderi i FSHF.

Ai ka qenë një ndër  futbollistët më të mirë të viteve 1950-1960 dhe shumica e njohin si  “Daja”.

Fitoi plot 6 tituj kampion me skuadrën e Partizanit, duke fituar të gjithë zemrën e tifozëve.

I gjithë komuniteti e njeh  si njeri të qeshur dhe shumë human.

“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka.

Homazhet në nder të Presidentit të Nderit të FSHF, do të zhvillohen tek Muzeu Kombëtar, ditën e sotme nga ora 12:00 deri në orën 15:00.




Skip to toolbar