Kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla ka çelur seancën e së enjtes, ku edhe ka renditur argumentet se pse duhet votuar rezoluta e PS-së që e cilëson antikushtetues vendimin e Presidentit Meta për të çdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në fjalën e tij Balla ka thënë se Kushtetuta e Shqipërisë nuk e njeh termin çdekretim dhe se Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij dhe madje nuk është konsultuar me palët politike për këtë vendim të tijin.
Ai gjithashtu tha se për herë të parë ndodh në Kuvend që te diskutohet një rezolutë për shkarkimin e presidentit.
“Duke e konsideruar këtë akt që synon të pengojë në mënyrë të kundraligjshme realizimin e të drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre vendor, në emër të grupit të PS-së kam kërkuar këtë mocion që rrallëherë që është hera e parë që mbahet për herë të parë në 28 vite të demokracisë së re shqiptare, do të kërkoja pa dallim të miratonim së bashku një rezolutë siç e keni përpara. Dekreti i datës 10 qershor është hapur antikushtetues.
Në raport me zgjedhjet, Presidenti ka vetëm një kompetencë atë të caktimit të datës së zgjedhjeve”, tha Balla.