Pas pushimeve të fundvitit, parlamenti do të nisë punimet të hënën (sot) në një seancë që do të zhvillohet në orën 17:00, duke nisur punimet e sesionin VI të Legjislaturës IV. Megjithëse në axhendën e seancës së pasdites janë parashikuar vetëm miratime kalendarësh dhe programesh, pritet që në këtë sesion punimesh kuvendi të diskutojë për tema të rëndësishme dhe të nxehta duke nisur me reformën zgjedhore, paketën ligjore anti-KÇK, dekretin e Metës për ligjin anti-shpifje si dhe shkarkimin e këtij të fundit, pra të presidentit Meta në përfundim të punimeve të komisionit hetimor.
Në axhendën e punimeve të Kvendit për ditën e hënë, seanca do të nisë me miratimin e programit 6-javor të punës së Kuvendit, për periudhën 20 janar – 7 mars 2020, me votim të thjeshtë. Më pas, deputetët do të miratojnë kalendarin 3-javor të punimeve, 20 janar – 7 shkurt 2020 dhe në përfundim, do të vijojë me paraqitjen e kalendarit të raporteve vjetore të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj për veprimtarinë e vitit 2019.
Pritet që në seancën e parë deputetët të diskutojnë për çështjet e rëndësishme ku vlen të përmendet konsensusi i arritur së fundi kur opozita jashtëparlamentare u ul në tryezën e bisedimeve me maxhorancën për realizimin e reformës zgjedhore. Ky fakt nuk është se ka kënaqur shumë opozitën parlamentare e cila është përfaqësuar në tryezë nga Rudina Hajdari, por nuk është marrë ende në konsideratë kërkesa thelbësore për ndryshimin e sistemit zgjedhor që ka qenë një nga kushtet e opozitës parlamentare. Që të dy partitë e mëdha, si PS ashtu edhe PD janë treguar të hapur për ndryshimin e sistemit por në një moment të dytë.
Një tjetër temë që pritet të diskutohet është nisma e vetë kryeministrit Rama e cilësuar si paketa anti-KÇK që pritet të miratohet brenda janarit. Vetë kryeministri deklaroi në dhjetor se brenda janarit do të miratohet akti normativ anti-KÇK. “Në fillim të janarit, menjëherë pas Vitit të Ri, ne do kalojmë aktin që u pengua për shkak të Gjendjes së Emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së” tha Rama në 23 dhjetor.
Një tjetër çështje që ka sjellë debat të fortë mes shumicës nga njëra anë dhe opozitës me presidentin nga krahu tjetër është paketa anti-shpifje që u miratua në seancën e fundit të dhjetorit. Presidenti e ktheu pak ditë më herët duke refuzuar dekretimin e tij pasi shkel disa dispozita kushtetuese dhe është një përpjekje për të rikthyer censurën sipas tij, ndërsa shumica paralajmëroi se dekreti do të rrëzohet.
Çështja tjetër e rëndësishme për këtë sesion parlamentar është shkarkimi i presidentit Meta. Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta po vijon punën, teksa zgjeroi objektin duke përfshirë edhe debatin për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses. Në përfundim raporti i komisionit do t’i kalojë kuvendit për miratim, pas një pune disa mujore, e nisur që në qershor kur presidenti anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, pa marrë më parë konsensusin e partive politike dhe në tejkalim të kompetencave që i njeh kushtetuta.