Emrat/ Kuvendi shpall kandidatët për vakancën në Gjykatën Kushtetuese

AKTUALITET


Kuvendi ka dalë më një listë prej 6 kandidatësh për plotësimin e vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas largimit të gjyqtarit Fatos Lulo, i cili u rrëzua nga vettingu pasi nuk mundi të justifikonte dot pasurinë. Më 21 gusht Kuvendi rishpalli kandidimin për vendin vakant duke përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, ndërsa aplikimi u mbyll më 15 shtator.

Të martën, Kuvendi bëri publike 6 emrat që kanë aplikuar për vakancën e përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, ku së bashku me dokumentacionin përkatës pritet t’ia dërgojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. 6 kandidatët që kanë aplikuar për vakancën e përkohshme janë:  Ardita Buna Alsula, Ded Kasneci, Klodian Rado, Regleta Panajoti, Shaqir Hasanaj dhe Vjosa Bodo Mujo.


Aktualisht Kushtetuesja ka vetëm një anëtar, Vitore Tushën dhe sipas ligjit duhet të pakën 6 anëtarë që kjo gjykatë të jetë funksionale dhe të fillojë me shqyrtimin e çështjeve në themel.

Më herët, KED ka bërë gati listën me 6 kandidatë që do të plotësojnë 4 vendet vakante, ku dy do të zgjidhen nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi. Aktualisht në listë janë 6 emrat e miratuara  konkretisht Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti. Për shkak të procesit të vettingut, Gjykata Kushtetuese prej më shumë se një viti është jashtë funksioni, pasi gjyqtarët ose janë rrëzuar gjatë procesit të rivlerësimit të tyre, ose kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar këtij testi. Gjykata Kushtetuese pritet të ngrihet në tetor dhe çështja e parë që pritet të shqyrtojë është shkarkimi i presidentit Meta.




Skip to toolbar