Lagarde jep dorëheqjen nga BQE/ Presidentja largohet në shkurt, para fundit të mandatit 8 vjeçar

#NËRADAR


Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra më 7 shkurt 2027, duke i dhënë fund spekulimeve disamujore për largimin e saj të parakohshëm. Vendimi vjen në një periudhë të ndërlikuar për ekonominë evropiane dhe institucionin që ajo drejton.

Largimi i Lagarde do t’u japë udhëheqësve të Bashkimit Evropian kohë për të zgjedhur pasardhësin e saj përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, ku sondazhet favorizojnë kandidaten e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Në një njoftim zyrtar, BQE bëri të ditur se Lagarde ka informuar Këshillin Drejtues të institucionit dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, për vendimin e saj. Mes emrave që përmenden si kandidatë potencialë për ta zëvendësuar janë ish-guvernatorët e bankave qendrore të Holandës dhe Spanjës, Klaas Knot dhe Pablo Hernández de Cos.

Mandati i Lagarde pritej të përfundonte në fund të tetorit 2027, por mundësia e largimit përpara afatit ishte diskutuar prej muajsh. Ndër destinacionet e mundshme pas largimit të saj ishte përmendur edhe Forumi Ekonomik Botëror.

Vendimi vjen në një moment sfidues për BQE-në, e cila po përballet me presionet inflacioniste të shkaktuara nga rritja e çmimeve të energjisë, në kushtet e luftës me Iranin. Institucioni synon të parandalojë që shtrenjtimi i naftës të përkthehet në rritje të mëtejshme të çmimeve dhe pagave.

Një tjetër shqetësim është rritja e rendimenteve të obligacioneve qeveritare, veçanërisht në Francë, ku niveli i lartë i borxhit po shton kostot e huamarrjes për familjet dhe bizneset. Sipas paralajmërimeve të Lagarde, këto kushte mund të frenojnë rritjen ekonomike dhe të ndikojnë në ecurinë e inflacionit.

Në këtë klimë pasigurie, tregjet presin që BQE-ja të mbajë normën bazë të depozitave në 2.5% gjatë mbledhjes së së enjtes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një rritjeje të mëtejshme të normave të interesit, potencialisht që në dhjetor.

Vendimi për normat e interesit pritet të bëhet publik të enjten, përpara konferencës së zakonshme për shtyp të Christine Lagarde.



Skip to toolbar