Julian Ahmataj do të jetë pasuesi i Ardi Memës në stolin e Tiranës. Ndonëse klubi ende nuk e ka zyrtarizuar, trajneri elbasanas pritet të prezantohet të premten pasdite me skuadrën. Ahmataj në fakt nuk është i panjohur në klubin e Tiranës, pasi ai në fillim të sezonit u emërua trajner i ekipeve të moshave, por u largua më vonë.
Ndërkohë, Ahmataj ka qenë dhe futbollist i ekipit bardheblu. Gjatë paradites të së premtes, Tirana zyrtarizoi shkarkimin e trajnerit Ardi Mema pas një viti bashkëpunim.
Largimi i trajnerit, që vinte nga familja Mema, dikur ish lojtar i skuadrës, erdhi për shkak të rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit. Tirana u mund në takimin e mesit të javës nga Bylis, disfatë që vulosi dhe fatin e trajnerit Mema.
Julian Ahmtaj është trajner me kepseriencë në kampionatin shqiptar, pasi në vitet e fundit ai ka drejtuar klube të ndryshme. Objektivi i Tiranës për këtë sezon është titulli kampion, që do të ishte qershia mbi tortë për festën e 100 vjetorit të themelimit të klubit, duke festuar njëkohësisht dhe titullin e 25-të kampion.