Protesta që po zhvillohet prej tre javësh në Bulevard, përpara godinës së Kryeministrisë, ka humbur kuptimin dhe logjikën që e justifikonte në fillim.
Kështu u shpreh analisti Martin Leka, i ftuar në “News Line”, në ABC News. Ai theksoi se protesta nisi për një çështje mjedisore, dhe sot, pas kaq ditësh, kërkesat e tyre janë shndërruar në politike.
“Unë mendoj se pas 24 ditësh, protesta e ka humbur gjënë kryesore. Ajo që nisi si protestë mjedisore, u shndërrua në protestë politike. Edhe akuzat për gjithë klasën politike, janë koncentruar në një gjë, që është dorëheqja e Ramës. Një kërkesë e vazhdueshme e opozitës zyrtare të udhëhequr nga Berisha deri tani. Kërkesat përmes 5 pikave që kanë ata, sic është qeveria teknike, edhe kjo kërkesë zyrtare e PD dhe e opozitës në tërësi.
Kërkesat janë tërësisht politike. Kjo tregon se aty ka shumë agjenda, aty ka shumë grupe të ndryshme interesi. Ka njerëz që nuk duan vetëm Edi Ramën, apo që nuk duan vetëm Sali Berishën, që nuk i duan të dy. Ka njerëz që nuk duan as Qorrin apo Lapaj, Shehajn etj. Ka njerëz që vërtetë duan mjedis, duan investimet e kujtdo kompanie, por që duan edhe mjedisin. Të gjitha shkojnë te një emërues i përbashkët që është artikuluar ditët e fundit, kërkesa për revolucion dhe kjo është pika që derdh gotën e demokracisë, por duhet të jetë e qartë që në cdo revolucion nuk përjashtohet dhuna, nëse ke revolucion do kesh dhunë.
Unë mendoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve, madje dhe ata që janë në protestë, nuk e duan dhunën sepse përvecse në ndërgjegjen e tyre nuk mund të shprehet fjala dhunë, shumica prej tyre e kanë provuar në këto 35 vjet disa herë. Në 1990, 1997, 1998 etj, ndaj mendoj se protesta po e humb sensin logjik të fillimit dhe fakti që është e fragmentuar edhe në kërkesa po edhe në grupe i bie të themi kemi televizor po nuk kemi ekran. Nuk shohim udhëheqësit e protestës.
Unë nuk mendoj që djali i një biznesmeni që i kanë marrë makinat, del në protestë bashkë me gjithë punonjësit e tjerë, qoftë edhe kolegë tanë, unë nuk mendoj se dalin në protestë kundër Edi Ramës po dalin në protestë për dicka tjetër, për të marrë makinat e pronarit, i bie. Pra duhet të përgatitemi, të dijmë se kush janë udhëheqësit e protestës, në të kundërt jemi në xhiron e përnatshme, dhe sheshi është kthyer si në sheshin e viteve 90, pa makina e ku njerëzit dilnin për të takuar njëri tjetrin”, tha ai.
Ai pohon se në protestë ka grupe dhe agjenda të ndryshme, ndërsa beson se ndikimin më të madh e ka Irani dhe qarqet shoviniste greke.
“Fakti që u bë kaq mediatike, në një furi lajmesh në opinionin publik grek, kjo tregon për shumë cka. Nga ana tjetër fakti që ne kemi një problem me luftën kibernetike, me Iranin, për arsye që dihen, mbajmë mbi 3 mijë muxhahedinë në Shqipëri, kemi përzënë ambasadorin iranian etj kjo është një luftë e pritshme. Përveç ndikimit të Iranit, në favor të këtij ndikimi është dhe fakti se ne këtu kemi qenë, opozita i ka artikuluar kërkesat për qeveri teknike dhe dorëheqjen e e Ramës dhe nuk kanë pasur zë. Për një ditë të vetme, për shkak të një incidenti në Zvërnec me një punëtor, të dalë dhe të bëhet një protestë kaq madhore sa ishte në fillim, unë mendoj se ka disa elementë, që do dalin dhe duhet të dalin.
Në këto protesta, ka ndikim investimi në një shifër kaq të madhë, ka ngjallur xhelozinë e qarqeve shoviniste, apo qarqeve antishqiptare greke ashtu dhe Irani. Për protestën mendoj që sa më shumë të zgjatet mosdalja në publik e njerëzve që janë pas saj dhe që të kenë një udhëheqje një alternativë, ajo vetëm do fillojë të venitet dhe do të zvogëlohet në numër dhe do përfundojë si ato protestat pa motiv real dhe pa kërkesa normale.Unë mendoj që protesta e ka arritur qëllimin e vet, është thënë nga autoritetet shqiptare që nuk ka projekt, kur të ketë projekt mjedisi nuk do të preket”, u shpreh ai.
