Lela: Ndërkombëtarët nuk mund ta krijojnë precedentin, Presidenti po

Më të fundit


Nga Alfred Lela

Hazërxhevapi ndaj vendimit të Presidentit të Republikës për të ç’dekretuar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve, niset nga interesa apo shije politike të rastit dhe të çastit. Ai ndahet në bardh e zi, si çdo gjë në Shqipëri. Një pjesë bërtasin ‘urra!’ dhe ‘çfarë akti i madh!’, dhe të tjerë e identifikojnë presidentin si të LSI, të Monikës, Lulit apo Doktorit.

Çka bën në fakt vendimi i z. Meta, mund të kualifikohet si ‘ndihmë’ për kryeministrin Rama, më shumë se për opozitën. Meta, së pari, i dha mundësi Edi Ramës të shpëtojë nga the royal fuck up që do të ishin një palë zgjedhje me të njëjtin Maliq dhe të njëjtin ligj. Më pas, kreu i shtetit i krijoi mundësinë shefit të qeverisë ‘të pozojë’ për pak në rolin e viktimës dhe, në fund, jo më pak e rëndësishme kjo, të krijojë një bllok të qartë politik, edhe brenda familjes së majtë, e cila nuk dukej se ishte e gjitha dakord me jermin e shefit të vet. Që nga implikimi me kufijtë e Kosovës, çngjyrosjen e PS si alternativë e qendrës së majtë dhe shndërrimin në alternativë force sipas parimit ‘qëllimi i pushteti përligj çdo mjet (edhe Nënnjeriun e zgjedhjeve, Niçen).

Alarmi që duket se ka rënë në kampin e majtë, politik dhe mediatik, për ‘puçin kushtetues’ të Metës, mendoj se duhet t’ia kursejnë Ramës. Sigurisht, vetëm nëse edhe vetë kreu i qeverisë nuk bie në rrjetën e së njëjtës logjikë. Ai do ta trajtojë, sigurisht, si të tillë, publikisht, duke i shpallur ‘luftë finale’ Metës, por vetmevete do të mendojë ndryshe.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Këto mendime jopublike do t’ia shohim te aktet. Pra, si do të sillet në raport me ‘propozimin’ e Presidentit. Sepse, në fakt, Meta nuk ka marrë një vendim, sesa ka hedhur një propozim në arenën politike. Të cilin e mbështet me kapacitetet juridike dhe unitariste të zyrës që përfaqëson.

Një diplomat i huaj i tha Politiko, pas vendimit të Metës për të ç’dekretuar 30 qershorin se, pas lëvizjes duhet të jetë një ‘lojë më e madhe’. Cila mund të jetë loja?

Ndërkombëtarët nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e zgjidhjes, prej frikës se lëshimi ndaj aktit të djegies së mandateve nga opozita shqiptare do të krijonte një precedent që mund të imitohej në Ballkan në të ardhmen. Amerikanët sidomos, pasqyruar kjo edhe në qëndrimin e së shtunës të Mathew Palmer në një intervistë për Top Channel.

Disa parlamentarë gjermanë kanë qenë i vetmi përjashtim. Nënkryetari i grupit të CDU/CSU ka theksuar madje se, as data e zgjedhjeve as tërheqja e kryeministrit nuk duhet të jenë tabu. Megjithatë, as gjermanët e CDU, partisë simotër të PD, nuk kanë mënuar që ta kritikojnë vendimin e opozitës për djegien e mandateve. E njëjta drojë, ajo e krijimit të precedentit rajonal që mund të riluhet në skena të tjera politike ballkanike.

Presidenti Meta e ka zgjidhur këtë ngërç me vendimin e ç’dekretimit. Ai e ka kthyer krizën në shtëpi duke propozuar që palët të ulen në tryezë, duke u bërë ai, jo të huajt, krijues i precedentit. Në këtë rast precedenti mbetet shqiptar, ashtu si dhe vetë kriza dhe mosmarrëveshja.

Ilir Meta i ka shpëtuar të gjitha palët, në një farë mënyre. Ka bërë në ndërkohë edhe një vetëpromovim: duke siguruar shumë mbështetës apo skeptikë se ai është një ‘kafshë politike’ e pëlqen ose jo, dhe se është gati të marrë vendime të forta. Ilir Meta tregoi me vendimin e sotëm se mund të kthejë një zyrë honorifike, siç është ajo e Presidentit të Republikës në një bosht ku pengohet dhe zhvillohet loja e pushtetit politik në Shqipëri



Skip to toolbar