Ligji për shtetësinë tenton të rrisë numrin e “shqiptarëve”

AKTUALITET


Të gjithë shtetasit që provojnë origjinën shqiptare përmes lidhjeve deri në brezin e tretë mund të aplikojnë dhe të përfitojnë menjëherë nënshtetësinë shqiptare. Kjo parashikohet në ligjin e ri që po përgatit qeveria, disa detaje të cilit i bëri të ditura zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda në një bashkëbisedim me gazetarët të martën.

Voda tha se risi në këtë ligj është prova e origjinës dhe kjo i vjen në ndihmë kryesisht shtetasve kosovarë. Ata duhet të provojnë se kanë lidhje origjine me Shqipërinë deri në 3 breza. Pra të provojnë se një i afërm i tyre ka ose ka pasur nënshtetësinë shqiptare.


Ajo shpjegoi se pasaporta shqiptare nuk do të jepet për shkak të etnisë por nga lidhjet e origjines, ndërsa u shpreh se shteti shqiptar mbetet i angazhuar që asnjë i lindur apo banues në territorin shqiptar të mos mbetet pa shtetësi shqiptare.

“Ka disa risi shumë interesante ligji i ri. Kemi futur një nga mënyrat e kërkimit të shtetësisë atë nëpërmjet origjinës dhe lidhjes nëpërmjet territorin e shtetit shqiptar. Do doja të bëja një sqarim. Pasaportat shqiptare nëpërmjet origjinës lidhet me lidhjen ndërmjet të parëlindurit dhe personit që do të fitojë nënshtetësinë deri në shkallë të tretë, kur vërtetohet se personi i parëlindur ka shtetësi shqiptarë. Te gjithë këta shtetas të huaj që jetojnë jashtë Shqipërisë nëse provojnë se kanë një person të afërm që ka shtetësi shqiptare ai do ta përfitojë këtë shtetësi”, tha Voda.

Ajo gjithashtu sqaroi edhe disa risi që parashikon ligji.

“Të gjithë ata fëmijë që kanë lindur në territorin e Shqipëri me prindër që nuk kanë shtetësinë shqiptare, do ta fitojnë menjëherë shtetësinë shqiptare.

Shqipëria ka një numër personash që nuk kanë shtetësi dhe ne kemi marrë këtë nismë që të luftojmë pashtetësinë. Janë lehtësuar procedurat për regjistrimin e fëmijëve shqiptarë të lindur nga prindër shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ka shumë prindër që punojnë dhe jetojnë në Greqi p.sh. dhe kanë hasur në pengesa për regjistrimin e fëmijëve në Shqipëri me ligjin e vjetër. Ne kemi bërë risinë që prindërit shqiptarë që lindin fëmijë të kenë të drejtë që ta regjistrojnë në Shqipëri edhe pasi ka mbushur 18 vjeç”, tha zëvendës ministria. Ajo bëri të ditur se ligji parashikon lehtësira për shtetasit e huaj të martuar me shtetas shqiptarë. Nëse kanë jetuar për 1 vit në Shqipëri, ata e fitojnë direkt nënshtetësinë shqiptare.

Voda sqaroi se pasaportë shqiptare do të ketë edhe për investitorët e huaj që investojnë shuma të konsiderueshme në Shqipëri, por duke rritur kontrollin në bashkëpunim me institucionet e tjera për të refuzuar ata që pastrojnë paratë ose kanë probleme me ligjin.  Voda tha se nënshtetësia shqiptare do t’u hiqet personave që kanë lidhje me terrorizmin.

“Humbja e nënshtetësisë është jo vetëm kur heq dorë, por edhe kur i hiqet në rastet kur kërkohet nga nga organet e ligjzbatuese kur vërtetohet se personi është pjesë e agjencive terroriste. Ka vende në BE që e kanë këtë dispozitë dhe lidhet me mbrojtjen kombëtare”, tha Voda.

Një tjetër risi e parashikuar në ligj dhe që pritet të hapë një tjetër debat mes presidentit dhe qeverisë, është se në draftin e ri, parashikohet që shtetësitë shqiptare të dhëna nga presidenti i Republikës që rezultojnë me probleme me ligjin të mund të hiqen me propozim të ministrit të Brendshëm.




Skip to toolbar