Kosova ka publikuar listën me 25 lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2020, që do të zhvillojë kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë. Trajneri Bernard Challandes i ka besuar në shumicën prej tyre lojatarëve që ka pasur dhe më herët në dispozicion.
Megjithatë, në listën e publikuar nga trajneri i Kosovës, risi është emri i Florent Hadërgjonajt, që vetëm pak javë më parë u pajis me pasaportën kosovare. 24-vjeçari luan në rolin e mbrojtësit dhe aktivizohet me skuadrën e Huddersfield në Angli.
Tjetër grumbullim surprizë është ai i Ibrahim Dresheviç, që luan në mbrojtje dhe aktivizohet me Heerenveen. Ylldren Ibrahimaj do të jetë gjithashtu një nga alternativat e Challandes për sulmin në dy ndeshjet zyrtare.
“Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka bërë publike listën e futbollistëve për dy ndeshjet e qershorit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, kundër Malit të Zi, më 7 qershor në Podgoricë dhe kundër Bullgarisë, më 10 qershor në Sofje. Stërvitja e parë e kompletuar do të mbahet më 2 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 18:00”.