Nga Ardit Rada/
Nëse e dëgjoni Lulzim Bashën se do të marrë bashkëshorten në protestë, ta dini se të nesërmen nuk do të ketë molotovë dhe kapsolla. Do të jetë gjithçka e qetë, tamam si një protestë europiane.
Kështu do jetë dhe sonte, kur opozitarët të parakalojnë në Bulevardin e Tiranës. Me një dalje në stil të gjerë në emisionet e darkës një ditë më parë, Basha, Kryemadhe dhe disa zyrtarë të tjerë të opozitës habitën njerëzinë kur veshën kolektivisht lëkurën e qingjit, duke përsëritur pafund frazën “nesër s’do të ketë asnjë akt dhune në protestë”! Kjo ndodhi pasi na kanë thënë nja njëqind herë se nuk e drejtojnë ata “zemërimin e Sovranit” dhe se nuk kanë asnjë influencë mbi dhunën në protesta!!!
“Unë do dal me vajzat e mia, me gruan time në protestë. Kemi marrë të gjtha masat për të parandaluar incidente. Nuk ka shërbëtor nga Beogradi që të vijë dhe ta mbrojë më Ramën. Fundi i tij do të vuloset nesër me një protestë qytetare paqësore” – tha dje Basha, duke futur pa vend edhe Beogradin në punët e krizës shqiptare. Por edhe duke iu dhënë të huajve mesazhin më të fortë që mund të japë: Më besoni se do jemi të qetë, po marr me vete edhe gruan e fëmijët…
Në fakt skenari mund të jetë pak më i ndryshëm, sesa ai i një krize të papritur moderimi të liderëve të opozitës. Thuhet se ambasadat më të rëndësishme perëndimore në Tiranë kanë dalë mbrëmjen e djeshme jashtë rreshtave të deklaratave të zakonshme. Përflitet se një kërcënim i hapur është bërë nga një ambasadë e fuqishme në Tiranë, për t’i skeduar partitë opozitare në listën e zezë të organizatave e lëvizjeve politike në botë. Dhe një hap i tillë dihet se çfarë pasojash imediate sjell për cilindo që e sheh veten në listë.
Këto fjalë i përforcoi sot dalja e zakonshme e ambasadave, para protestës, me deklarata të forta që dënojnë dhunën mbi KZAZ-të në disa qytete të vendit dhe bëjnë thirrje të mos cënohet procesi elektoral.