Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, u shpreh në emisionin “Real Story”, në News24, se ekonominë shqiptare e pret një dimër shumë i vështirë, nëse pandemia e koronavirusit do të bëhet më agresive.
Sipas Bregasit, pandemia e solli ekonominë në këtë lloj deregjeje, ndaj dhe shteti duhet ta ndihmojë për të mos rënë në nivele më të ulëta.
“Do ishte mirë të mendonim me nota pozitive, edhe nga pikëpamja psikologjike. Ndodhi që në korrik, gusht, pas tre muaj izolim, gjithë sektori i turizmit funksionoi, pra mbijetoi. Të ardhurat ishin më të pakta se vitin e kaluar, por funksionoi, pasi njerëzit që ishin të mbyllur donin të dilnin e të prishnin. Por, unë mendoj se periudha pas gushtit nuk do të jetë shumë e mirë. Shohim që qytetarët sillen në mënyrë të rezervuar për të konsumuar, për të prishur diçka më shumë. Ka një farë stepje të konsumatorit.
Shpresoj që pandemia të fillojë e të sillet jo shumë agresive ndaj qytetarëve dhe bizneseve, pasi ekonomia është elastike, bie shpejt, por edhe ngrihet shpejt. Nëse Covid-19 do të vijë duke u zbutur, nëse del edhe vaksina, mendoj se ekonomia do ta marrë shumë shpejt veten. Por nëse do të kemi një dimër të vështirë, mendoj se ekonominë e pret një dimër shumë i vështirë, jo vetëm turizmin. Disa shifra janë kokëforta. Pandemia e solli ekonominë në këtë lloj deregjeje, por shteti e ne të gjithë duhet ta ndihmojmë ekonominë të mos bjerë në nivele të ulëta”, deklaroi Bregasi.