Bregasi i nxjerr email-in live: Kompanive po iu kërkohet tatim-fitimi! Ahmetaj: S’mund të jetë kështu, ma dërgo që ta sqaroj

AKTUALITET


Presidenti i “Biznes Albania” kritikoi live në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, në News24, ministrin Arben Ahmetaj, teksa u ndal te pasojat e pandemisë së koronavirusit në ekonominë shqiptare.


Bregasi tha se nëse protokollet e Covid do të ishin menaxhuar si duhet nga qeveria, ekonomia do ta kishte më të lehtë të dilte nga kjo situatë. Por, në kundërpërgjigje ministri Ahmetaj tha se qeveria shqiptare fitoi me menaxhimin e situatës.

Pjesë nga debati:
Bregasi: Vendi jonë është aq i vogël, sa unë si ministër do të interesohesha për të ndërtuar edhe një ndërmarrje. Pra, nëse protokollet e Covid, që ishin për të siguruar dy garancitë që ofroi qeveria, dhe që ka diskutime nëse ishin të mjaftueshme, do të ishin menaxhuar si duhet, ekonomia do ta kishte më të lehtë të dilte nga kjo situatë.
Ahmetaj: Po ndalem te turizmi, mbi 80% e turistëve vijnë në rrugë tokësore. Ndaj dhe kjo e mbajti gjallë turizmin.
Bregasi: Absolutisht që turizmi ishte mirë, këtë unë e ndjeva dhe vetë.

Ahmetaj: Ekonomia ka nevojë për optimizëm. Luani e tha si nëpër dhëmbë, por në fakt duhet të thotë me zë që fituam. Po, ne fituam dhe jo vetëm që mbijetuam, por arritën edhe të gjeneronim të ardhura pozitive. Jam dakord me Luanin që elementi i dytë mund të ishte bërë më fleksibël, ajo e garancive. Por ne kontribuuam në mirëmbajtjen e të ardhurave në periudhë pandemie. Unë nuk po them që ne do shkëlqejmë këtë 6-mujor, por mendoj se do të jemi më mirë. Janë gati 100 kompani që kanë marrë punë Luan. Është shtyrë tatim-fitimi.
Bregasi: Po për kompanitë është shtyrë?
Ahmetaj: Po.
Bregasi: Pse tatimet iu dërgojnë online të gjitha kompanive se duhet të paguajnë tatim-fitimin? Ligji është ndryshe.
Ahmetaj: Ke shumë të drejtë, por situata është e tillë.
Bregasi: Sapo ma çuan me email, që iu kërkohet tatim-fitimi.
Ahmetaj: Nuk mund të jetë kështu, sepse me ligj është shtyrë. Ma dërgoni në WhatsApp, që ta sqaroj.