Luftëtari me projekt të ri, Klevis Dalipi trajner, Klodian Duro bëhet drejtor

SPORT


Klevis Dalipi është prezantuar zyrtarisht trajner i Luftëtarit në Gjirokastër. Ish-trajneri i Partizanit dy sezone më parë, tashmë merr drejtimin e një ekipi, që për hir të së vërtetës javët e fundit është përballur me shumë probleme. Megjithatë, kriza financiare dhe largimi i donatorit kryesor, Grigor Tavo, nuk e ka trembur Dalipin të marrë drejtimin e ekipit gjirokastrit, duke pranuar kështu një sfidë. Në një prononcim për “Realstory.al”, Dalipi u shpreh se “kjo është një sfidë për mua, por sigurisht jam bindur nga projekti që kanë drejtuesit e rinj të skuadrës. Shpresojmë që këtë javë të marrim licencim nga federata dhe më pas të vijojmë përgatitjet normale për nisjen e sezonit”, tha trajneri i ri i skuadrës gjirokastrite.

Ikja e Grigor Tavos si aksioner kryesor i klubit ka shkaktuar shumë probleme në skuadër. Megjithatë, në ekip pritet të afrohen donator të rinj, një prej të cilëve është Artur Dade, i cili deri disa muaj më parë kishte 18% të aksioneve të klubit. Dade gjithashtu do të mbajë dhe postin e Drejtorit Sportiv në skuadër. Ndërkohë, Klevis Dalipi, në prononcimin për “realstory.al”, tregoi se puna për sezonin e ri ka nisur prej të hënës, por afrimet në skuadër do të bëhen pas vendimit të FSHF për të licencuar klubin për të luajtur sezonin tjetër në Superligë.

“Puna ka nisur prej sot, por këtë javë jemi në pritje të marrjes së licensës nga FSHF. Kemi shumë besim që do e marrim licensën, pasi drejtuesit kanë dhënë garanci. Më pas do të fillojmë të mendojmë për lojtarët, do bëjmë disa afrime, kryesisht do jenë lojtarë të rinj që kanë dalë nga akademi të ndryshme futbolli në vend. Do ketë dhe disa afrime nga Greqia, pra do kemi një skuadër me futbollist të rinj”, tha Dalipi.

Ndërkohë, projeki i Luftëtarit duket se do të jetë serioz, pasi donatorët e rinj nuk kanë menduar vetëm për një trajner me emër si Klevis Dalipi, pasi në postin e Drejtorit Teknik, te Luftëtari do të emërohet ish-futbollisti i kombëtares Klodian Duro. Ai pritet të emërohet në ditët në vijim, duke nisur punën së bashku me stafin e ri për sezonin 2019/20.



Skip to toolbar