Borxhet ndaj lojtarëve, FIFA bllokon merkaton e Flamurtarit dhe Luftëtarit

Flamurtari është dënuar me pezullimin në tre sesione të merkatos, ose thënë ndryshe për një vit e gjysmë klubi kuqezi nuk do të kryejë dot transferta lojtarësh. Panorama Sport raportoi të hënën se Flamurtari është dënuar nga FIFA së bashku me Luftëtarin.

Shkak i këtij dënimi janë bërë borxhet dhe problemet me pagesat e lojtarëve dhe stafit drejtues, të trashëguara nga e kaluara. Në të paktën tre sezonet e fundit Flamurtari ka pasur probleme me likuidimin e lojtarëve dhe stafit teknik, çka ka bërë që shpesh këto probleme të përfundojnë me padi në FIFA.


Për këtë arsye, qeveria botërore e futbollit ka vendosur të dënojë klubin vlonjat duke e privuar nga merkato gjatë janarit dhe verës së këtij viti, si dhe në janarin e vitit të ardhshëm. Gjithashtu, FIFA ka dënuar edhe klubin e Luftëtarit, duke i hequr të drejtën të kryejë transferim lojtarësh gjatë merkatos së janarit të këtij viti.

Në krahasim me skuadrën e Flamurtarit, klubi gjirokastrit ka marrë një dënim më të lehtë. Kjo është një goditje tjetër e rëndë ndaj klubeve shqiptare pas dënimit të Skënderbeut nga UEFA për trukim ndeshjesh. Ndërkohë, të dy klubet do të duhet të marrin vetëm lojtarë nga akademitë e tyre të futbollit gjatë kohës që është në fuqi pezullimi për kryerjen e merkatos.  


Kukësi fundos Luftëtarin. Laçi ndal Teutën

Kukësi shkatërroi Luftëtarin me rezultatin 4-1. Skuadra e Shpëtim Duros bëri paraqitje fantastike në javën e fundit të fazës së parë të kampionatit, duke marrë tre pikë të rëndësishme, që e ngjisin në vendin e tretë me 14 pikë. Gjithçka nisi mirë për Kukësin që gjeti golin që në minutën e dytë me Ethemin.

Më pas ishte Shkurtaj që shënoi në të 26`, ndërsa në pjesën e dytë Rroca trefishoi në të 51`. Megjithatë, Luftëtari ngushtoi diferencat në të 56`, por Shkurtaj vulosi 4-1 shifrat në të 63`. Kukësi ngjitet vendin e tretë të renditjes me 14 pikë, 1 më pak se Teuta që u mund të mërkurën nga Laçi. Ndërkohë Luftëtari mbetet në vendin e parafundit të renditjes me 6 pikë.


Laçi mundi në shtëpi Teutën 3-0, duke ndalur ecurinë pozitive të durrsakëve. Skuadra e trajnerit Cungu gjeti dy herë rrjetën me Tecon në pjesën e parë, ndërsa në të 50` e pjeës së dytë, ishte Xhixha që shënoi golin e tretë. Megjithatë, fitorja e të mërkurës e lë Laçin në vendin e tetë me 10 pikë, ndërsa Teuta ndodhet në vendin e dytë të renditjes me 15 pikë.


Skënderbeu merr kreun. Ndalet Tirana e Partizani

Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Flamurtarit, në takimin e javës së 7-të të kampionatit, që vinte fill pas derbit. Bardheblutë e nisën mirë takimin, me Hasanin që gjeti rrjetën vetëm pas katër minutash lojë. por, goli i sulmuesit bardheblu, u pasua nga një autogol i Ngoo. Sulmuesi anglez realizoi në portën e Ilion Likës në të 13` duke vendosur barazpeshën në fushën e lojës. Megjithatë, Hasasni mendoi për rikthimin e avantazhit në të 38`.

Me avantazhin 1-2, Tirana mendoi se e fioi ndeshjen, por vlonjatët surprizuan në të 90+2`, kur Ardit Hoxhaj realizoi golin e barazimit për Flamurtarit. Kjo ishte pika e dytë për këtë sezon për skuadrën vlonjate, ndërsa Tirana shkon në kuotën e 11 pikëve. Në takimin tjetër të së shtunës, Partizani dhe Teuta ndanë gjithashtu ndanë nga një pikë mes tyre. Avdyli kaloi Teutën në avantazh në të 37`, ndërsa Trashi shënoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë për Partizanin.


Skënderbeu është rikthyer te fitorja në kampionat, pasi mundi Luftëtarin 2-0. Të dy golat e fitores së korçarëve u shënuan në kohën shtesë, nga Dita dhe Muja në të (90+3` dhe 90+3`). Tre pikët e të shtunës, e ngjisin Skënderbeun në vendin e parë në renditje me 12 pikë, po aq sa Teuta që mban vendin e dytë. Ndërkohë, Partizani ndodhet në vendin e tretë me 11 pikë, po aq sa Tirana dhe Bylis, që ndajnë vendin e katërt dhe të pestë.


Luftëtari si Spanja, largohet trajneri një ditë para nisjes së kampionatit

Nëse ju kujtohet, në qershor të vitit të kaluar, një ditë para nisjes së Kupës së Botës, Spanja shkarkoi nga detyra trajnerin, pasi ai kishte arritur marrëveshje me Realin e Madridit pa njoftuar klubin. E njëjta histori, e ngjashme vetëm në largimin e trajnerit, por jo për nga arsyet, ka ndodhur me Luftëtarin e Gjirokastrës. Një ditë para nisjes zyrtare të  kampionatit të futbollit, Klevis Dalipi ka lënë drejtimin e Luftëtarit, një muaj pasi mori drejtimin e saj. Tekniku elbasanas ka dhënë dorëheqjen, pasi mësohet se nuk ka qenë dakord me ndërhyrjet e drejtuesve të klubit.

Ndërkohë, pas largimit të tij, drejtimin e skuadrës e ka marrë Klodian Duro, ish-mesfushori i kombëtares dhe trajner i disa klubeve në Superligë. Ndërkohë, pas largimit të Dalipit, ka reaguar klubi gjirokastrit. Në një konferencë për shtyp, administratori i Luftëtarit, Artan Laze, është shprehur se shkak i largimit të Dalipit, është bërë paga. Ai pretendon se trajneri nuk ka pranuar që t`i tatohet paga.


“I plotësuam kushtet që nga mënyra e jetesës deri tek mënyra e pagesës. Në kuadër të këtyre kushteve i kemi plotësuar kërkesat e tij për ndërtimin e një skuadre më të mirë. Të gjithë lojtarët që ai ka sjellë vetë ia kemi pranuar. Të gjithë lojtarët që ai i ka parë dhe si ka dashur i kemi larguar. Domethënë në këtë kuadër ne nuk i kemi ndërhyrë, pasi ky është profesionalizmi. Papritur, dje natën vonë kemi bërë bisedat përfundimtare për lidhjen e kontratës, sipas dëshirës së tij për ta lënë në këtë ditë lidhjen përfundimtare të kontratës. E kemi parapaguar me një muaj, zotin Dalipi, sipas dëshirës së tij”.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për kushtet e kontratës. Kemi rënë dakord për të gjitha pikat, por s’kemi rënë dakord për një pikë. Unë nuk e kam toleruar, bashkë me presidentin dhe jemi kategorik në këtë pikë, pasi ai nuk ka pranuar të paguajmë detyrimet shtetërore, në kuptimin e tatimit mbi pagën”, ka thënë Artan Laze.


Luftëtari me projekt të ri, Klevis Dalipi trajner, Klodian Duro bëhet drejtor

Klevis Dalipi është prezantuar zyrtarisht trajner i Luftëtarit në Gjirokastër. Ish-trajneri i Partizanit dy sezone më parë, tashmë merr drejtimin e një ekipi, që për hir të së vërtetës javët e fundit është përballur me shumë probleme. Megjithatë, kriza financiare dhe largimi i donatorit kryesor, Grigor Tavo, nuk e ka trembur Dalipin të marrë drejtimin e ekipit gjirokastrit, duke pranuar kështu një sfidë. Në një prononcim për “Realstory.al”, Dalipi u shpreh se “kjo është një sfidë për mua, por sigurisht jam bindur nga projekti që kanë drejtuesit e rinj të skuadrës. Shpresojmë që këtë javë të marrim licencim nga federata dhe më pas të vijojmë përgatitjet normale për nisjen e sezonit”, tha trajneri i ri i skuadrës gjirokastrite.

Ikja e Grigor Tavos si aksioner kryesor i klubit ka shkaktuar shumë probleme në skuadër. Megjithatë, në ekip pritet të afrohen donator të rinj, një prej të cilëve është Artur Dade, i cili deri disa muaj më parë kishte 18% të aksioneve të klubit. Dade gjithashtu do të mbajë dhe postin e Drejtorit Sportiv në skuadër. Ndërkohë, Klevis Dalipi, në prononcimin për “realstory.al”, tregoi se puna për sezonin e ri ka nisur prej të hënës, por afrimet në skuadër do të bëhen pas vendimit të FSHF për të licencuar klubin për të luajtur sezonin tjetër në Superligë.


“Puna ka nisur prej sot, por këtë javë jemi në pritje të marrjes së licensës nga FSHF. Kemi shumë besim që do e marrim licensën, pasi drejtuesit kanë dhënë garanci. Më pas do të fillojmë të mendojmë për lojtarët, do bëjmë disa afrime, kryesisht do jenë lojtarë të rinj që kanë dalë nga akademi të ndryshme futbolli në vend. Do ketë dhe disa afrime nga Greqia, pra do kemi një skuadër me futbollist të rinj”, tha Dalipi.

Ndërkohë, projeki i Luftëtarit duket se do të jetë serioz, pasi donatorët e rinj nuk kanë menduar vetëm për një trajner me emër si Klevis Dalipi, pasi në postin e Drejtorit Teknik, te Luftëtari do të emërohet ish-futbollisti i kombëtares Klodian Duro. Ai pritet të emërohet në ditët në vijim, duke nisur punën së bashku me stafin e ri për sezonin 2019/20.


Tavo braktis ‘betejën’, Luftëtari në ‘luftë’ me rrezikun e shkrirjes si klub

Presidenti i Luftëtarit Grigor Tavo është larguar nga klubi. Ai nuk do të jetë më pjesë e aksionerëve, që deri tani mban shumicën e tyre, në sezonin e ardhshëm. Ky vendim i Tavos, që ka reaguar me një letër publike, ka ardhur pasi sipas tij, aksionerët e tjerë të klubit, nuk kanë investuar për pjesën që u takon në skuadër.

“I gjendur në një situatë ku të gjithë aksionerët nuk e mbështesin Luftëtarin, as në kuotat që u takon si një shoqëri aksionere, e kam të pamundur të vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërisë në tërësi. Është një vendim tepër i dhimbshëm por mua dhe jo vetëm. Do të largohem nga presidenca e Luftëtarit për t`i hapur rrugë investitorëve të rinj, që ndoshta mund të bëjnë më shumë për këtë skuadër dhe këto ngjyra, që secili prej nesh i ka në zemër”, ka shkruar ndër të tjera Tavo, që kishte 37% të aksioneve.


Tashmë Luftëtari mbetet me dy aksionerë të tjerë privatë, dhe Bashkinë e Gjirokastrës, e cila në letrën e Tavos cilësohet se i ka përmbushur detyrimet që i takojnë. Ata që nuk kanë kontribuar për klubin janë dy aksionerët e tjerë, përkatësisht Aleksandër Misto me 38 % dhe Bekim Halilaj me 25 %. Në këto kushte, Luftëtari gjendet në mes të katër rrugëve, pasi klubit do t`i duhet një mbështetje tjetër financiare nga biznesi privat, ose në të kundërt gjërat do të përkeqësohen.

Në fakt, Luftëtari ndodhet përballë një situate akoma dhe më të rëndë pas largimit të Grigor Tavos, pasi klubi ende nuk ka përmbushur kriterin financiar për të marrë licensën për të luajtur në Superligë për sezonin e ardhshëm. FSHF ka paralajmëruar më herët se klubet që nuk do të përmbushin këtë kriter deri më 31 korrik, do të përjashtohen nga kampionati.


Luftëtarit i ikën titullari i rëndësishëm, Ferreira: Ishte kënaqësi që luajta këtu

Te skuadra e Luftëtarit kanë nisur largimet e lojtarëve. Pas një sezoni të vështirë, ku qëllimi për mbijetesën u arrit me sukses, skuadra gjirokastrite ka nisur planet për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, në sektorin e hyrjeve ende nuk ka emra të rinj, ndërsa në dalje kanë nisur largimet.

Jackson Ferreira i ka dhënë fund aventurës me gjirokastritët. Mbrojtësi e ka lajmëruar vetë këtë largim, duke shkruar një status lamtumire, duke shprehur falënderimin për drejtuesit dhe tifozët e skuadrës.


“Sot përfundoj kontratën time, dua të falënderoj presidentin, bordin e drejtorëve, të gjithë ata që punojnë në klub, të gjithë lojtarët, trajnerët, tifozët dhe të gjithë në qytet që më kanë mirëpritur shumë mirë”.

“Jam i lumtur që ndihmova Luftëtarin në pjesëmarrjen e tij në Europa League dhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Do të largohem nga skuadra, që meriton të jetë në elitë. Ju faleminderit për çdo gjë”, shkruan futbollisti.


Disiplina publikon vendimet, shpëtojnë klubet e Superligës!

Komisioni i Disiplinës Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet për javën sportive që lam pas. Ekipet e Superligës nuk kanë qenë objekt i disiplinës këtë javë, veç zëvendës trajnerit të Liftëtarit, Neritan Novi që është pezulluar me dy ndeshje. Ky dënim vjen pas atij të dhënë më herët nga klubi për ndihmësin e Ahmataj, që është pezulluar për shkak të eleminimit nga Kupa e Shqipërisë. Ja vendimet e plota!

Zyrtari i KF “Luftëtari”, Neritan Novi, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.


  1. Zyrtari i KF “Erzeni”, Arjan Hoxha, për goditje ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/b) të KDS, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik. Në bazë të Nenit 20 të KDS zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe qëndrimi në territorin përreth fushës së lojës.
  2. KF “Kukësi B”, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Klosi”, në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  3. Lojtari i KF “Luzi 2008”, Kristi Lacka, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a) të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
  4. Lojtari i KF “Tirana B”, Klajdi Nazlli, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a) të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
  5. Zyrtari i KF “Butriti”, Adriatik Faslli, në bazë Nenit 13 të KDS, paralajmërohet se ne rast përsëritje të shkeljeve disiplinore do të jenë subjekt i masave që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe rregulloreve të tjera të FSHF.
  6. Zyrtari i KF “Iliria” U-19, Dashamir Cangu, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a te KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
  7. KF “Dinamo” U-19, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Luftëtari” U-19 në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  8. KF “Burreli” U-19, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Kukësi” U-19 në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  9. KF “Bylis” U-19, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Durresi” U-19 në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  10. KF “Vllaznia” U-17, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Kukësi” U-17 në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  11. KF “Kastrioti” U-17, për mos paraqitje në ndeshje kundër “Korabi” U-17 në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  12. FC “Termi” femra, për mos paraqitje në ndeshje kundër KF “Apollonia” femra, në bazë të Nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.
  13. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF “Shkumbini”, Emilian Lluca dhe pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 33/4 të KDS, lojtari Emilian Lluca vendoset në provë për një periudhë 6 mujore.
  14. Çeljen e hetimit disiplinor mbi kërkësen e KF “Iliria” U-19 për aktivizim të lojtarit që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen midis “Shënkolli U-19 – Partizani U-19”, datë 28.04.2019.

Pezullimi absurd nga Luftëtari, Aleksi: Jam i indinjuar!

Gjatë ditës së sotme klubi i Luftëtarit publikoi një komunikatë, ku njoftonte pezullimin e trajnerit dhe zëvendësit të tij si dhe të dy lojtarëve, si masë ndëshkimi pas eleminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Albano Aleksi, ishte njëri prej dy lojtarëve të pezulluar me dy ndeshje nga Luftëtari, pas eleminimit nga Tirana në gjysmëfinalen e kupës. Ky vendim i klubit ka qenë i papritur për lojtarin, i cili ka reaguar publikisht duke shprehur indinjatën për pezullimin. 26-vjeçari shkruan në profilin e tij në Facebook se:


“Dua të falënderoj në radhë të parë tifozerinë e Luftëtarit, të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë 4 viteve fantastike, duke përfaqesuar fanellën e Luftëtarit, fanellë e cila më dha mundësinë të jem ky futbollist që jam sot”.

“Jam ndierë shumë i indinjuar pas informimit që mora për pezullimin nga ekipi ditën e sotme, por më shumë i indinjuar jam ndierë nga arsyeja absurde e këtij pezullimi”.

“Dua t’i informoj të gjithë se kam dhënë maksimumin tim çdo sekondë të luajtur me ekipin e Luftëtarit dhe askush nuk mund të ma hedhë poshtë djersën që kam derdhur për këtë ekip dhe të ulë figurën time si futbollist i këtij ekipi. GJITHMONË FORCA LUFTËTARI”, shkruan 26-vjeçari në Facebook.


Çudira shqiptare, Luftëtari pezullon trajnerin dy javë pasi u mund nga Tirana!

Luftëtari vijon të jetë surprizues, jo vetëm me atë që po bën në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Çfarë ka ndodhur këtë herë?! Klubi gjirokastrit arriti në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku përballë pati Tiranën. Kjo e fundit arriti të fitonte ndeshjen e dytë dhe të shkonte në finale, ndërsa Luftëtari u kthye në shtëpi.

Megjithatë, edhe pse ishte një arritje historike për gjirokastritët kapja e gjysmëfinales, drejtuesit nuk janë kënaqur me rezultatin. Dy javë pas gjithë kësaj histori, kur kanë kaluar disa suksese në kampionat, në Gjirokastër janë kujtuar të ndëshkojnë përgjegjësit për largimin nga kupa.


As më pak e as më shumë, por trajneri Julian Ahmataj, zëvendësi Neritan Novi dhe dy lojtarët, Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira, janë pezulluar për një afat prej dy javësh nga klubi. Kjo është një situatë e pazakontë që ndodh me një klub futbolli, që nga njëra anë ka probleme dhe detyrime ndaj lojtarëve dhe nga ana tjetër i ndëshkon për mosarritjen e një objektivi, që në fakt nuk ka qenë i tillë. Ja komunikata e plotë e klubit gjirokastrit për vendimin e sotëm:

“Klubi i futbollit Luftëtari, pasi ka ndjekur me shqetësim ecurinë e skuadrës dhe sidomos humbjen e thellë në takimin përballë Tiranës, çka solli edhe eliminimin nga Kupa e Shqiperisë, stafi drejtues i klubit, ka analizuar me seriozitet situatën dhe ashtu siç ishte paralajmëruar ka marrë masa disiplinore”.

“Nga ana jonë janë pezulluar për një afat dy javor, trajneri Julian Ahmataj si dhe zv. trajneri Neritan Novi. Gjithashtu për një afat dy javor janë pezulluar edhe futbollistët Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira Silverio”.

“Klubi i futbollit Luftetari, nuk mund të tolerojë kurrsesi paraqitje si ajo perballë Tiranës në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, ku skuadra u shthur totalisht duke pësuar gola dhe një humbje të papërtypshme”.

“Luftëtari bën me dije se për trajnerët apo lojtarët e pezulluar nuk do të ketë masa financiare, duke i paguar ata rregullisht si gjithë pjesa tjetër e skuadrës. Në këto dy javë, skuadra në procesin stërvitor, apo ndeshjet e kampionatit do të drejtohet nga trajneri i portierëve Jovan Mihajlovic”.

“Arritja e objektivit mbijetesë, edhe pse ende jo matematikisht bën që skuadra të ketë mundësinë e rotacionit dhe ne po shohim me përparësi aktivizimin e lojtarëve të cileve nuk u është dhënë mundësia të tregojnë vlerat e tyre.”

“Luftëtari ka nisur tashmë punën për formatimin e skuadrës për sezonin e ri dhe përforcimin e saj me elementë cilësore. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë sërish një Luftetar dinjitoz, i cili do t’i japë tonin Superliges Shqiptare dhe do të bëjë krenar një qytet të tërë”.


Skip to toolbar