Luftëtari si Spanja, largohet trajneri një ditë para nisjes së kampionatit

SPORT


Nëse ju kujtohet, në qershor të vitit të kaluar, një ditë para nisjes së Kupës së Botës, Spanja shkarkoi nga detyra trajnerin, pasi ai kishte arritur marrëveshje me Realin e Madridit pa njoftuar klubin. E njëjta histori, e ngjashme vetëm në largimin e trajnerit, por jo për nga arsyet, ka ndodhur me Luftëtarin e Gjirokastrës. Një ditë para nisjes zyrtare të  kampionatit të futbollit, Klevis Dalipi ka lënë drejtimin e Luftëtarit, një muaj pasi mori drejtimin e saj. Tekniku elbasanas ka dhënë dorëheqjen, pasi mësohet se nuk ka qenë dakord me ndërhyrjet e drejtuesve të klubit.

Ndërkohë, pas largimit të tij, drejtimin e skuadrës e ka marrë Klodian Duro, ish-mesfushori i kombëtares dhe trajner i disa klubeve në Superligë. Ndërkohë, pas largimit të Dalipit, ka reaguar klubi gjirokastrit. Në një konferencë për shtyp, administratori i Luftëtarit, Artan Laze, është shprehur se shkak i largimit të Dalipit, është bërë paga. Ai pretendon se trajneri nuk ka pranuar që t`i tatohet paga.

“I plotësuam kushtet që nga mënyra e jetesës deri tek mënyra e pagesës. Në kuadër të këtyre kushteve i kemi plotësuar kërkesat e tij për ndërtimin e një skuadre më të mirë. Të gjithë lojtarët që ai ka sjellë vetë ia kemi pranuar. Të gjithë lojtarët që ai i ka parë dhe si ka dashur i kemi larguar. Domethënë në këtë kuadër ne nuk i kemi ndërhyrë, pasi ky është profesionalizmi. Papritur, dje natën vonë kemi bërë bisedat përfundimtare për lidhjen e kontratës, sipas dëshirës së tij për ta lënë në këtë ditë lidhjen përfundimtare të kontratës. E kemi parapaguar me një muaj, zotin Dalipi, sipas dëshirës së tij”.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për kushtet e kontratës. Kemi rënë dakord për të gjitha pikat, por s’kemi rënë dakord për një pikë. Unë nuk e kam toleruar, bashkë me presidentin dhe jemi kategorik në këtë pikë, pasi ai nuk ka pranuar të paguajmë detyrimet shtetërore, në kuptimin e tatimit mbi pagën”, ka thënë Artan Laze.



Skip to toolbar