Ndërsa vetëm pak minuta e ndajnë opozitën nga protesta e nëntë kombëtare, lideri demokrat Lulzim Basha pritet të dalë para militantëve bashkë me liderin e LSI, Monika Kryemadhi, e cila mungoi në një nga protestat e opozitës për shkaqe shëndetësore, siç ajo tha vetë, pas një vizite që kishte pasur në SHBA. Ndërsa nga ana tjetër, kreu i mazhoranës, Edi Rama gjatë zhvillimit të protestës do të jetë në Ksamil me këngëtaren Carla Bruni, bashkëshortja e ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy. Bruni do të mbajë një koncert në Ksamil, ndërsa pak para protestës, kryeministri Rama e priti çiftin francez në ambientet e kryeministrisë, ku publikoi edhe një video me Sarkozy. Pak para nisjes së protestës mbi bulevard u panë edhe helikopterët, që sipas informacioneve të realstory.al, me ta kanë udhëtuar kryeministri dhe çifti Bruni-Sarkozy drejt Ksamilit.
Pra, të premten në mbrëmje, kryeministri Rama do e kalojë nën tingujt e këngëve të Carla Brunit, ndërsa Monika me fjalët nga podiumi të Lulzim Bashës.