Mali i Çikës prej 5 ditësh në flakë, dy avionët nga Selaniku nuk arritën të shuanin zjarrin

AKTUALITET


Beteja e Malit të Çikës me zjarrin ka arritur në ditën e pestë. Dy avionët e ardhur nga Selaniku për të fikur zjarrin nuk arritën të shuanin ditën e djeshme.

Forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësve lokalë mundën të fiknin vetëm një pjesë të zjarrit, ndërkohë që sërish sot sipas informacioneve do të rikthehen avionët.

Zjarri i rënë në “Palikonjë” në Malin e Çikës vijon të jetë aktiv prej pesë ditësh dhe dje nisi operacioni për shuarjen e flakëve, me angazhimin e forcave të ushtrisë dhe zjarrfikësve lokalë.

Ndërhyrja me këmbë ishte e vështirë të bëhej për shkak se vatrat e zjarrit ishin në humnerë dhe përbën rrezik për jetën e zjarrfikësve.

Për këtë arsye nisën negociatat për ndihmë nga Greqia dhe brenda pak orësh erdhën dy avionë ‘Canadair’ nga Selaniku.

Ditën e djeshme perfekti i Vlorës bëri me dije se ishin djegur 70 hektarë, ndërsa ende nuk dihet sesa ka avancuar ditën e sotme.

Ndërkohë tymi i zjarrit në malin e Çikës u përhap në fshatin bregdetar të Dhërmiut, duke krijuar probleme për pushuesit.



Skip to toolbar