Manastirliu në Universitetin e Durrësit: E vetmja mënyrë për të vijuar mësimin në auditore është vaksinimi

CORONAVIRUS


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të studentëve në Kampusin e Universitetit të Durrësit. Duke nxitur studentët të vaksinohen, Ministrja Manastirliu, e shoqëruar nga Rektorja e këtij universiteti, Kseanela Sotirofski, u shpreh se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të vijuar mësimin normalisht në auditore.

“Ne të gjithë duam që të mos kemi më ndërprerje të shkollave, të mos kemi më mësime që kryheshin në mënyrë të alternuar, por ajo çfarë ne duam dhe çfarë ne synojmë është që mësimi tashmë të bëhet në auditore. E vetmja mënyrë që mësimi të vijojë normalisht, të zhvillohet në auditore, sipas programeve përkatësë të çdo universiteti dhe fakulteti, është pikërisht që të vaksinohemi”, tha Manastirliut.


Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke rritur aksesin për studentët.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër të fushatës së vaksinimit të personave mbi 18 vjeç dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në terren. Gjatë kësaj jave ne kemi filluar bashkëpunimin me strukturat e arsimit të lartë. Ju e shihni që tashmë vetë rektorët janë të angazhuar, të gjithë stafet e tyre për të njoftuar studentët që kjo javë është javë vaksinimi. Sepse duke filluar nga java tjetër do të duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor”, tha Manastirliu.

Duke bërë thirrje qytetarëve për t’u vaksinuar, Manastirliu tha:
“Vaksina është e vetmja armë që të shpëton jetën. Ashtu sikurse ekspertët thonë dhe ajo çfarë konfirmohet ditë pas dite është jo vetëm efektiviteti i vaksinës përsa i përket uljes së transmetueshmërisë por gjithashtu vaksina mbron deri në 100% format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu dhe fatalitetet”, tha Manastirliu.

Rektorja e Universitetit të Durrësit Kseanela Sotirofski i bëri thirrje studentëve të paraqiten në universitet për t’u vaksinuar, pasi duke filluar nga e hëna e javës së ardhshme do të kërkohet pasaporta e vaksinimit për të qenë prezent në auditore.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,803,799 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 834,469 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Ditën e hënë, datë 11 tetor, janë kryer 6,339 vaksinime në të gjithë vendin. 

Vaksinimi është i hapur dhe të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, çdo ditë, nga 08:00-20:00, për të kryer vaksinën antiCovid. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antiCOVID.




Skip to toolbar