Ish ministri i Drejtësisë në kohën kur LSI ishte ende në “tepsi”, Ylli Manjani ka bërë një koment të gjatë në facebook ku shkruan se Ilir Meta duhet t’i japë fund presidencës të cilën ai e quan pension të parakohshëm për Metën. Manjani shkruan se ai nuk mund t’i bëjë të dyja edhe presidentin edhe kryeopozitarin, ndaj shkruan ai, Meta duhet të ndajë mendjen.
“Dilema që duhet ndarë. Për mendimin tim Ilir Meta, para së gjithash, duhet të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë, Presidentin e Republikës (politikanin pensionist) apo opozitarin ndaj qeverisë.
Kjo është dilema themelore që Ai duhet ta zgjidhë me veten e vet. Të dyja nuk bëhen sepse nuk bën dot asnjërën siç duhet.
Kam patur idenë (ndoshta i vetmi) që 2 e më shumë vite më parë se Ilir Meta nuk duhej të humbte kohë të çmuar në zyrën e Presidentit. E kam thënë hapur këtë gjë”, shkruan Manjani, ndërsa komenton dhe raporin e Venecias por anashkalon pikat kur thuhet se presidenti ka shkelur kushtetutën.
“Sot, nuk është Venecia arsyeja përse duhet të largohet nga Presidenca, siç propogandojnë çakejt mediatikë të Rilindjes. Venezia, të paktën sipas projekt raportit që doli para afatit, nuk sugjeron shkarkimin e Presidentit. “Tejkalimi i kompetencave kur s’ka ligj dhe arsye të mëdha natyrore”, nuk është shkelje që çon në shkarkim. Kjo është e qartë kristal.
Nuk është as “fjala e thënë” te portali i Çimit, që të gjithë qeveritarët e çakejt e tyre bëjnë sikur se shohin, por e paskan parë dhe konspektuar atë intervistë.
Presidentit të Republikës nuk i njohin e as i botojnë një dekret. Kjo është arsëye shumë më e fortë sesa 100 raporte nga Venecia. Sipas meje, kjo është arsye që Ilir Meta të dalë nga pensionimi i parakohshëm i vetvetes dhe të vihet përballë sunduesve politikë”, shkruan Manjani.
Në përfundim ai shkruan se Meta është i vetmi që duhet t’i japë përgjigj dilemës nëse do vazhdojë pensionin në presidencë, apo do dalë hapur përballë Ramës në politikë.
“Megjithatë, dilema President e në pension politik apo në Politikë dhe përballë Ramës, është e gjitha për t’u zgjidhur nga Ilir Meta. Nga askush tjetër!”, shkruan Manjani./realstory.al