Ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor do të kalojnë në javën e ardhshme në Kuvend. Vendimi i mor në konferencën e Kryetarëve e cila caktoi 1 tetorin si datë për të votuar në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Deri më 30 shtator është afati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për të reflektuar këto ndryshime, teksa në Këshillin Politik ende s’ka konsensus.
Mazhoranca dhe opozita parlamentare kanë dorëzuar nga një draft, dhe Gjiknuri ka paralajmëruar se me apo pa opozitën jashtëparlamentare, brenda afatit ndryshimet kushtetuese do të reflektohen në Kodin Zgjedhor për mos lënë vakum.
Opozita e Bashkuar ka dorëzuar një kërkesë zyrtare që për çështjet ku nuk ka dakordësi Këshilli Politik t’i drejohet ODIHR. Por kjo është refuzuar nga mazhoranca e cila me draftin e saj thotë se kërkon Lista të Hapura 100%, por me disa kushte, prag zgjedhor 3% dhe koalicionet parazgjedhore vetëm me listë shumëemërore të përbashkët.