Mbante armë me vete, policia e arreston, më herët i proceduar për plagosje të rëndë
13:06 - 11/06/2019
Shërbimet e policisë në Vorë kanë arrestuar
një 30-vjeçar, pasi e kanë kapur në flagrancë me armë pa leje, teksa
qarkullonte me të në ambiente publike. Sipas një njoftimi të Policisë së
Shtetit, mësohet se gjatë operacionit të koduar “Mesnata”, shërbimet e policisë
kanë arrestuar një shtetas me precendentë të mëparshëm penal.
“Si rezultat i operacionit ne rrugën dytësore në hyrje të Vorës u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E. H., 30 vjeç, banues në Vorë, i dënuar më parë me 6 vite burg, ekstraduar nga Kroacia për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” si dhe proceduar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Gjatë kontrollit të ushtuar në automjetin tip Audi, në çantën e dorës së këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Pistoletë me një krehër me 7 fishekë, që e mbante pa leje”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.