Mbledhjet online, ISP: Deputetët raportojnë edhe teksa udhëtojnë me makinë

AKTUALITET


Instituti i Studimeve Politike ka publikuar sot raportin sa u takon mbledhjeve on line që kryhen në Kuvendin e Shqipërisë.

ISP në dy raste shprehu kritika që deputetët u lejuan të votojnë dhe të marrin pjesë në diskutim ndërsa ndodheshin në automjete në udhëtim, – një situatë që jo vetëm vjen në kundërshtim me Rregulloren dhe me Kodin Rrugor, por edhe pamundëson de facto debatin dhe vendimmarrjen efektive mbi ligjet.

Raporti i plotë:

Kuvendi i Shqipërisë ishte nga institucionet e para që aplikoi punimet online edhe gjatë periudhës së emergjencës së COVID-19. Kjo meritë vlerësohet dhe Instituti i Studimeve Politike e ka bërë këtë në disa raportime të tij. Nga ana tjetër, disa raporte, deklarime, sugjerime dhe rekomandime i kanë kërkuar Kuvendit të përmirësojë standardin e punës dhe t’i japë integritet aktivitetit parlamentar duke filluar nga gjëra minore, siç janë detyrimi që deputetët të marrin pjesë në mbledhjet online nga mjediset e Kuvendit, të zyrave apo të ambienteve të tjera të përshtatshme që mundësojnë shqyrtimin, diskutimin dhe vendimmarrjen serioze të akteve parlamentare.ISP në dy raste shprehu kritika që deputetët u lejuan të votojnë dhe të marrin pjesë në diskutim ndërsa ndodheshin në automjete në udhëtim, – një situatë që jo vetëm vjen në kundërshtim me Rregulloren dhe me Kodin Rrugor, por edhe pamundëson de facto debatin dhe vendimmarrjen efektive mbi ligjet. Kuvendi ende nuk ka ndërmarrë asnjë masë përmirësuese në këtë drejtim.

Ja një rast tipik: në një mbledhje të rëndësishme të muajit tetor 2020 të Komisionit parlamentar mbi veprimtarinë prodhuese deputeti Ilir Beqaj merr pjesë aktive në debat duke qenë në zyrë (minuta e 12.49) dhe më pas del nga zyra, hip në makinë dhe vijon të marrë pjesë aktive në debat ndërsa udhëton në makinë (minuta 58.28) e videos së komisionit. Edhe në rastin konkret deputeti vijon nga makina të komentojë nene dhe të japë sugjerime, duke supozuar se e ka ligjin në dorë dhe po punon me të, ndërsa kolegët në komision dhe ekspertët e thirrur i komentojnë sugjerimet e tij!Sesi mund të ndiqet një debat parlamentar duke dalë nga zyra drejt makinës dhe duke udhëtuar me makinë, sesi mund të diskutohet mbi nene e vendime që prekin interesa të mëdha qytetare, sesi mund të ushtrohet pushteti legjislativ në forma të tilla, vetëm modele parlamentare si këto mund të na thonë!

Asnjë parlament tjetër në Evropë nuk aplikon standarde të tilla kaq minimale dhe kaq devijuese nga solemniteti dhe integriteti i aktivitetit dhe vendimmarrjes parlamentare. Dhe kjo nuk është e vetmja, por rasti i tretë në dy javët e fundit nga deputetë të ndryshëm!Praktika të tilla duhet të marrin fund! Kuvendi dhe pushteti legjislativ janë institucione më serioze sesa deputetët që mund të jenë edhe për arsye rastësore aty, ndaj meritojnë respekt, integritet e solemnitet edhe kur aktiviteti parlamentar bëhet rutinor për shkaqe jashtë tyre. ISP nxit konferencën e Kryetarëve dhe Byronë e Kuvendit ta trajtojnë këtë problematike anormale dhe ta kthejnë aktivitetin parlamentar në shinat formale të praktikave parlamentare evropiane.



Skip to toolbar