“Me municion luftarak”, kapen 3 persona të rrezikshëm në Fier

AKTUALITET


Tre persona janë arrestuar nga Policia e Fieriut në kuadër të operacionit policor “Çlirimi”, pasi akuzohen për krime kundër personit, pronës dhe armëmbajtjes pa leje.

Pas informacioneve të mara në rrugë operative, policia arrestoi në flagrancë shtetasit Sh. K., 33 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; A. B., 35 vjeç, banues në Fier, dhe R. L., 20 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar Audi A8, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës.

Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 pistoleta, 2 krehëra me 24 fishekë, 2 mjetet prerëse dhe automjeti i blinduar Audi A8.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.



Skip to toolbar