“Festime hipokrite”, Petrit Vasili kundër Monika Kryemadhit për SPAK: Është antikushtetues

AKTUALITET


Të enjten tetë prokurorët e SPAK bën betimin në Presidencë. Më pas, krijimi i këtij institucioni u përshëndet nga shumë aktorë, përfshirë drejtuesit e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Por, ndonëse shefja e tij në LSI u shpreh se “fillimi i aktivitetit të SPAK është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit”, ndryshe mendon Petrit Vasili, numri dy i kësaj partie. Një ditë më pas, kur tetë prokurorët e SPAK futen në zyrë për të nisur zyrtarisht punën, Vasili i quan kremtimet për themelimin e kësaj strukture si “folklorike”.

“Përshëndetjet me 360 gradë majtas e djathtas për ngritjen e SPAK si dhe ekzaltimet gati gati folklorike për të janë vërtet një tepri artificiale, e cila i duhet kursyer shqiptarëve. Them u duhet kursyer shqiptarëve, pasi festa të tilla hipokrite dhe zhurmëmëdha shqiptarët kanë parë mjaft në këto vite, ndërkohë që rezultatet janë thelluar të jenë shumë e më shumë negative”, shprehet Vasili.


Por, numri dy nuk sulmon vetëm drejtuesit e opozitës ku ai bën pjesë, por edhe ndërkombëtarët. Sipas Vasilit edhe në rastin e zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku pati ekzaltim qesharak ndërkombëtar, ndërsa thotë se SPAK është ngritur në thyerje të Kushtetutës.

“Ekzaltim qesharak kombëtar e ndërkombëtar pamë të hidhej pa kursim kur u zgjodh klonimi antikushtetues i Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Ekzaltim kur u zgjodh KLP dhe KLGJ me kandiatë të kontestuar edhe nga vetë ONM e ndërkombëtarëve duartrokitës për integritetin e ulët dhe të papajtueshëm me ligjin dhe me institucionet e reja që do krijohen”.

“Ekzaltim sot për sPAK të ngriur në thyerje të Kushtetutës me 2 vjet e ca vonesë dhe pa numrin kushtetues me 10 anëtarë. Po si mundet të pranohet ekzaltimin për një institucion si SPAK, që lind me shkelje kushtetuese e ligjore për të cilat s`ka as fajtorë dhe as të ndëshkuar”, shkruan ndër të tjera Petrit Vasili. /Realstory.al/




Skip to toolbar