Tentuan të vidhnin banesat e braktisura nga tërmeti, 3 në pranga

AKTUALITET


Tre persona janë arrestuar nga policia në flagrancë ndërsa kanë tentuar të vidhnin banesat e braktisura nga tërmeti. Një 42-vjeçar me inicialet L.T., është arrestuar në Durrës. Ai u kap në flagrancë duke vjedhur në një pallat ku banorët ishin larguar. Ndërsa në Krujë u vunë në pranga 2 të rinj dhe iu sekuestruan mjetet me të cilat ishin përgatitur për të kryer vjedhje.

Pas informacionit të marrë në rrugë operative se dy të rinj nga Shkodra, të cilët ishin duke qarkulluar me një automjet do kryenin vjedhje në zonën e Krujës, shërbimet e Policisë kanë bërë bllokimin e automjetit dhe të dy të rinjve që ndodheshin në të.


Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të automjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi mjete që shërbenin për hapjen e dyerve të banesave dhe të automjeteve, doreza e pajisje të tjera që do shërbenin për të realizuar vjedhjet.

Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 25 vjeç, banues në lagjen Dobrac, Shkodër, i dënuar më parë dhe i pasagjerit shtetasit N. P., 23 vjeç, banues në Shkodër.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, në bashkëpunim.




Skip to toolbar