“Më shqyen bluzën dhe pantallonat…”, 22-vjeçarja rrëfen si i shpëtoi përdhunimit

AKTUALITET


Rovena Zekaj, e cila 3 ditë më parë u tentua të përdhunohej nga një 36-vjeçar në Elbasan, ka treguar ngjarjen se si nisi dhe si arriti t’i shpëtonte përdhunimit. 22-vjeçarja tha për mediat se ajo shpëtoi për çështje fati dhe gjithçka nisi kur 3 djem me makinë nisën ta ngacmonin kur po shkonte nga universiteti në shtëpi.

“Ka qenë e tmerrshme. Isha rrugës duke u kthyer për në shtëpi, disi larg universitetit. Në një makinë, tip “Golf”, ishin tre persona të cilët zbritën nga makina. Si fillim ata filluan të flisnin dhe shanin me fjalë të pista, por nuk mendova se e kishin me mua. Më pas kuptova që diçka nuk po shkonte dhe për këtë arsye, nuk u ndala në rrugicën që të çon në banesën time, por diku tjetër për të humbur gjurmët. Ata vazhduan sërish, shanin dhe më kërconin, aty u binda që çdo gjë ishte drejtim meje. Mora targën e makinës dhe thirra policinë.” tregon 22-vjeçarja

Rovena tha se pas marrjes së policisë, 3 djemtë ikën dhe u rikthyen sërish më vonë, me një tjetër makinë dhe njëri prej tyre e ka ndaluar dhe ka tentuar që ta përdhunojë.

“Ata sa kanë parë se unë kam marrë targën dhe thirra policinë, u larguan dhe u kthyen përsëri me një makinë me targë tjetër, një makinë blu. Sa isha duke kaluar rrugën unë pashë që një person ishte duke më ndjekur. Nuk ishte djalë i vogël, ishte një burrë. Më kapi nga krahu dhe prej fyti dhe më vuri në tokë. Ka hipur sipër meje dhe ka filluar të më prekë.  Ishte e neveritshme, nuk kisha forcë ta përballoja. Tentoi të ma shqyente bluzën dhe nisi të më zbërthente pantallonat, ishte e tmerrshme. Më ka shpëtuar vetëm fakti që është ndezur një dritë aty pranë.” rrëfeu 22-vjeçarja

Në lidhje me ngjarjen policia e Elbasanit arrestoi 36-vjeçarin Olsi Çanga, por gjykata e la të lirë ditën e premte duke vendosur detyrim paraqitje për mungesë provash.



Skip to toolbar