Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka sqaruar vendosjen e pllakës së memorialit të viktimave gjatë grushtit të shtetit në Turqi, një memorial tejet i diskutuar në vend, që çoi deri në thyerjen e saj në parkun e Liqenit. Veliaj, nga studio e emisionit Real Story të gazetarit Sokol Balla, tha se kjo ishte e pakonceptueshme, pasi nëse ka një vend që ka kontribuar më shumë në Tiranë dhe se i gjendjet asaj në momente të vështira është Turqia duke shtuar se është gati t’i bëjë një pllakë memoriali kujtdo që është i gatshëm të kontribuojë për Tiranën . Kryebashkiaku Veliaj tha se dëmtimi i memorialit turk u dënuan që nga Shtëpia e Bardhë deri te të gjitha Kancelaritë Europiane, ndërsa shtoi se kushdo që “bërtet” në media apo rrjete sociale se do të paguaj për të shkatërruar atë pllakë e fton që t’i jap ato para për të mbjellë pemë.
“Ne kemi një marrëdhënie bashkëpunimi dhe etike maksimale me Turqinë dhe se investimet e saj në Tiranë nga kopshtet, konviktet, këndi i lojërave apo mbjellja e 2000 pemëve te Liqeni në një zonë që ishte katastrofë është falë kontributit dhe fondeve që Turqia ka dhënë për Tiranën dhe qytetarët e saj. Sigurisht që për ditën e Grushtit të Shtetit në Turqi, jo vetëm Shtëpia e Bardhë, Kancelaritë Europiane por të gjithë e kanë dënuar. Ata që thonë që do jap 2000 euro për atë që e prish, i them pse nuk jep 2000 euro për pemë? Jam gati t’i bëj pllakat kujtdo që kontribuon për Tiranën.” u shpreh Veliaj
Në lidhje me pyetjet se pse ky memoriali u bë pa një vendim të Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se ky vendim i takonte Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, pasi ajo merr vendime për të vendosur pllakat në varësi të kërkesave të donatoreve që dhurojnë pemë.
Ndërsa për analistin Agron Gjekmarkaj, ky memorial tregoi dobësinë e Shqipërisë para shtetit Turke, ndërsa bëri thirrje që Basha duhet të reagonte për këtë çështje.
“At Zef Pllumbi thoshte: Në Shqipëri ka një parti pro greke dhe një parti pro turke, ndërsa partia shqiptare nuk është krijuar ende. Shpresoj që Basha të flasë për këtë çështje, sepse unë e cilësoj si një veprim vasalitet.”-tha Gjekmarkaj./ RealStory