Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësat e shtëpisë së re familjes Belegu

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i dorëzuan çelësat e shtëpisë së re familjes Belegu në Petrelë. Kjo familje mbeti pa shtëpi pasi u shemb nga tërmeti i 21 shtatorit. Anëtarët e kësaj familje, së bashku me kryefamiljarin Xhevdet Belegu, që vuan nga probleme shëndetësore, do të festojnë festat e fundvitit në shtëpinë e tyre të re.

Shtëpia e kësaj familje u ndërtua në kohë rekord, ashtu siç kishte premtuar kryebashkiaku Erion Veliaj. Ajo u ndërtua nga një kompani private e cila mori përsipër të ndërtojë shtëpinë e familjes Belegu.

“Shtëpitë e reja siç e patë kishin rezistuar, kurse Xhevdeti rri te shtëpia e prindërve, të shtëpia e vjetër e plakut. I ranë muret. Dhe sipas porosisë tuaj për tërmetin e parë që të mbaronim çdo shtëpi, para Vitit të Ri. Prandaj ishte dhe simbolika e gjelit, që, çelësin dhe gjelin dhe një fillim i ri te shtëpia e re”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjithë banesat e reja do të plotësojnë të gjithë standardet. Shtëpia e tyre e re 3+1, plotëson më së miri të gjithë nevojat për strehim të familjes Belegu e cila ka tre fëmijë.

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Pendarovskit

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i dorëzoi presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski “Çelësin e Qytetit”, si një dëshmi e një dere të hapur dhe e një miqësie të gjatë mes dy vendeve.

Gjatë takimit Veliaj theksoi se fqinjësia e mirë është ajo që lidh dy vendet dhe i bën bashkë në rrugën e tyre drejt BE. Veliaj tha se Tirana dhe Shkupi kanë pasur një bashkëpunim të mirë në ditë të vështira duke i qëndruar në krah e mbështetje njëra-tjetrës.

“Jam shumë i lumtur që mirëpres në qytetin e Tiranës, në Bashki, në shtëpinë tonë të përbashkët mikun tonë, vëllain tonë, fqinjin tonë, Stevo Pendarovski, Presidentin e ri të Maqedonisë. Jam shumë i lumtur që ai ndan bindjen tonë se fqinjët e mirë janë bashkë në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira. Tirana është sot shtëpia edhe e shumë qytetarëve të Maqedonisë, ndihen të barabartë, kanë një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar që jam edhe kryetar i tyre. Mbaj mend se kemi pasur ditë të vështira kur në Shkup ka pasur përmbytje, tërmet, por edhe në Tiranë kemi pasur përmbytje, tërmet, dhe edhe në nivelin lokal kemi pasur një bashkëpunim me njëri-tjetrin. Është edhe muzikë për veshët e mi të dëgjoj që edhe në nivelin qendror, edhe në politikën më të lartë, me drejtuesit më të lartë të shteteve tona, ndajmë ide të përbashkëta, që fqinjësia e mirë është ajo që na lidh dhe që na bashkon, është shansi ynë që të shkojmë së bashku drejt Bashkimit Europian. Por, edhe biem dakord që duhet ta ndërtojmë Europën në Shqipëri, Maqedoni, dhe besoj se sa më shumë modernizohen qytetet tona, aq më të mëdha janë shanset që të integrohemi”, tha Veliaj.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për nderimin me “Çelësin e Qytetit”, ndërsa theksoi se respekti ndaj diversiteteve janë parakusht themelor për një progres në shekullin XXI.

Pasojat e tërmetit, Veliaj: Banesat, i rindërtojmë me ndihmën e biznesit

Ne nuk mund të ndalojmë dot tërmetin, shiun apo thatësirën, por ajo që kemi në dorë është të solidarizohemi në raste fatkeqësisht dhe të kemi një reagim të shpejtë ndaj saj.’ Ky ka qenë mesazhi që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë për banorët e prekur nga tërmetet por edhe përmbytjet që erdhën më pas. Veliaj tha se banesat e dëmtuara do të rindërtohen të gjitha me ndihmën e bizneseve dhe shtetit, ndërsa shtoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në gatishmëri dhe fryma e bashkëpunimit është më e madhe se kurrë.

Ne nuk kemi fuqi ta ndalojmë as tërmetin, as shiun, as borën, as të ftohtin, as thatësirën. Ajo që kemi fuqi të bëjmë është që kur ndodh një fatkeqësi, të ngrihemi në këmbë e të solidarizohemi me njëri-tjetrin. Fakti që të gjithë jemi ngritur në këmbë, të përkushtuar, që kjo punë që na hapë një sfidë të jashtëzakonshme që nuk e kishim menduar, pasi ishim përgatitur për vitin shkollor, ndërkohë që na u hapën problematika të jashtëzakonshme me mbi 500 ndërtesa me tërmetin, të paktën na ka gjetur në këmbë, na ka gjetur në gatishmëri dhe me një frymë bashkëpunimi si kurrë më parë në Tiranë”, tha Veliaj.

Edhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti u shpreh se puna për rindërtimin e  banesave të dëmtuara nga tërmeti do të shtrihet kudo ku ato janë evidentuar.

Jam shumë e lumtur që vij me një lajm shumë të mirë në këtë shtëpi, ku edhe ato shtëpi që kanë qenë të amortizuara ndër vite, të vjetra, e ku edhe dëmet ishin më të mëdha, por edhe ato shtëpi që janë ndërtime të reja e që kanë pasur dëme, ne do i rindërtojmë. Jam shumë e lumtur që do të vazhdojmë me të njëjtën frymë edhe në shtëpi të tjera”, tha Gjylameti.

Pasojat e tërmetit të 21 shtatorit ishin të rënda në disa fshatra të Tiranës, ku disa banesa u kthyen në të pabanueshme. Kryebashkiaku Veliaj vizitoi dy prej familjeve të prekura në Vaqarr, ku u premtoi se banesat do të rindërtohen brenda viti dhe se kjo praktikë, të ndihmuar edhe nga bizneset, do të ndiqet me të gjitha banesat që kanë nevojë për ndërhyrje.

Problemi i ujit dhe situata tek Astiri, Veliaj sqaron situatën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur edhe për disa nga çështjet e rëndësishme dhe mjaft të diskutuara për qytetarët e Tiranës si protestat tek Astiri dhe situata e ujit të pijshëm në qytet. I pyetur nga analistët e Real Story për situatën e banorëve të Unazës, Veliaj tha se spekulantë mund të flasin shumë, por shumica e banorëve janë shpronësuar ose kanë marrë apartamente.

Pjesa më e madhe e banorëve të Unazës ose janë shpronësuar ose kanë marrë apartamente. Pra, secili ka marrë atë që i takon, sipas përqindjeve që janë në treg. Mund të dalë deri në fund fare ndonjë militant. Ka edhe spekulant, që ka 8 kate, që nuk rri fare aty dhe kërkojnë shumë. Kemi sistemuar edhe në banesa sociale. Nuk ka drama sociale. Ta siguroj. Unë do jap gjithë energjinë time për të bëhet Unaza”, deklaroi Veliaj.

Në lidhje me situatën e ujit në Tiranë, Veliaj tha se po punohet dhe se situata do të përmirësohet.

Ne jemi duke punuar për Tiranën, edhe për ujin. Kemi marrë kredi nga BERZH dhe e kemi marrë për shkak të rezultateve tepër të mira. Në Tiranë mund të jetë çmimi i ujit pak më shtrenjtë se në Kamzë, sepse sigurisht niveli i mirëqenies në Tiranë është më e madhe se në Kamzë. Ne po rregullojmë totalisht sistemin”. tha Veliaj

Shpenzimet e Maznikut në Barcelonë, Veliaj: Prokuroria le ta sqarojë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, edhe për çështjen e faturave të hotelit të qëndrimit të Arbjan Maznikut në Barcelonë, të cilit i është paguar fjetja nga një biznesmen. Veliaj u shpreh se kjo ka qenë një vizitë pune, dhe jo qejfi. Megjithatë, ai shtoi, se dokumentet janë dorëzuar në Prokurori.

“E kemi referuar gjithë dokumentacionin në Prokurori. Bëhej fjalë për një prenotim, jo pagesë. I kemi kërkuar Prokurorisë të shohë dokumentacionin ka qenë për grup njerëzish apo për person. Sa kohë është dhënë një çmim në paketë për tre aktorë, duhet sqarim. Mazniku do shkojë i pari, pasi të thirret nga Prokuroria, të sqarojë”.

“Kanë shkuar për punë, bashkia, implementuesi, komisioneri, e kanë fituar të tre këtë ofertë. Nëse do kishte qenë për qejf, do kishte sqarim tjetër. Nuk pranoj kështu gjërash, por ka qenë prenotim pune në grup. Nëse dikujt do t’i hapësh probleme, mund t’ia bësh, nëse i di destinacionin. Të gjitha këto le t’i sqarojë Prokuroria”, ka thënë Veliaj. /Realstory.al/

“Memoriali turk” Veliaj: Pllakat, kujtdo që jep kontribut për Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka sqaruar vendosjen e pllakës së memorialit të viktimave gjatë grushtit të shtetit në Turqi, një memorial tejet i diskutuar në vend, që çoi deri në thyerjen e saj në parkun e Liqenit. Veliaj, nga studio e emisionit Real Story të gazetarit Sokol Balla, tha se kjo ishte e pakonceptueshme, pasi nëse ka një vend që ka kontribuar më shumë në Tiranë dhe se i gjendjet asaj në momente të vështira është Turqia duke shtuar se është gati t’i bëjë një pllakë memoriali kujtdo që është i gatshëm të kontribuojë për Tiranën . Kryebashkiaku Veliaj tha se dëmtimi i memorialit turk u dënuan që nga Shtëpia e Bardhë deri te të gjitha Kancelaritë Europiane, ndërsa shtoi se kushdo që “bërtet” në media apo rrjete sociale se do të paguaj për të shkatërruar atë pllakë e fton që t’i jap ato para për të mbjellë pemë.

Ne kemi një marrëdhënie bashkëpunimi dhe etike maksimale me Turqinë dhe se investimet e saj në Tiranë nga kopshtet, konviktet, këndi i lojërave apo mbjellja e 2000 pemëve te Liqeni në një zonë që ishte katastrofë është falë kontributit dhe fondeve që Turqia ka dhënë për Tiranën dhe qytetarët e saj. Sigurisht që për ditën e Grushtit të Shtetit në Turqi, jo vetëm Shtëpia e Bardhë, Kancelaritë Europiane por të gjithë e kanë dënuar. Ata që thonë që do jap 2000 euro për atë që e prish, i  them pse nuk jep 2000 euro për pemë? Jam gati t’i bëj pllakat kujtdo që kontribuon për Tiranën.” u shpreh Veliaj

Në lidhje me pyetjet se pse ky memoriali u bë pa një vendim të Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se ky vendim i takonte Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, pasi ajo merr vendime për të vendosur pllakat në varësi të kërkesave të donatoreve që dhurojnë pemë.

Ndërsa për analistin Agron Gjekmarkaj, ky memorial tregoi dobësinë e Shqipërisë para shtetit Turke, ndërsa bëri thirrje që Basha duhet të reagonte për këtë çështje.

“At Zef Pllumbi thoshte: Në Shqipëri ka një parti pro greke dhe një parti pro turke, ndërsa partia shqiptare nuk është krijuar ende. Shpresoj që Basha të flasë për këtë çështje, sepse unë e cilësoj si një veprim vasalitet.”-tha Gjekmarkaj./ RealStory

Drekë për njerëzit në nevojë, Veliaj: Të merret shembulli i Tiranës

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës ka shtruar drekë në të gjitha qendrat e saj sociale për shtresat në nevojë. Mënyra më e mirë për të kujtuar Nën Terezën është të zbatosh porositë e saj dhe t’u shërbesh njerëzve dhe duket se këtë shembull ka vendosur të ndjek edhe kryebashkiaku Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se është i lumtur që njerëzit po tregohen gjithmonë e më shumë solidar ndaj shtresave në nevojë. Mensat sociale për shtresat në nevojë është ajo që do të donte edhe Nënë Tereza, u shpreh Veliaj dhe jo statuse në facebook, ndërsa shton se shpreson që kjo nisëm e Tiranës të shërbejë si model edhe për bashkitë e tjera të vendit.

“Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë. Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë”- tha Veliaj

Dëshmoi për vrasjen e Indrit Çelajt, gjykata lë në burg Lorenc Veliajn për 3 vepra penale

Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për 27 vjeçarin Lorenc Veliaj. Ai ishte kolegu i Indrit Çelajt që u vra nga vëllezërit Kusi në rrugën Myslym Shyri në Tiranë dhe dëshmitar i ngjarjes. Ishte pikërisht dëshmia e tij që çoi në zbardhjen e ngjarjes.

Fillimisht ai u arrestua si i dyshuar për krimin por më pas policia sqaroi se dy vëllezërit Kusi e kishin kërcënuar dhe e kishin detyruar atë që të merrte përsipër vrasjen. Megjithëse ai dëshmoi në polici dhe zbardhi të plotë ngjarjen, Lorenc Veliaj do të mbetet në burg për shkak se akuzohet për tre vepra penale të tjera për një ngjarje të mëhershme. Ai ishte në kërkim nga policia dhe falë kësaj ngjarjeje u arrit të vihej në pranga.

Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për Veliajn, i cili akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit si dhe shkatërrim prone.

Për këtë krim makabër, janë arrestuar Bujar Kusi, babai i autorëve të vrasjes, për fshehjen e krimit; Ferdinand Bakallin e Luan Çakën për ‘’moskallëzim të krimit’’ si dhe Edmond Sulën, si bashkëpunëtor në vrasje.

Dy ditë pas ngjarjes tronditëse, vëllezërit Kusi ende nuk janë kapur nga policia.

Tirana në ndihmë të Lezhës me zjarrfikëse, Veliaj: Solidaritet, jo vetëm me fjalë

Përhapja e zjarrit në kodrën e zonës së Shëngjinit ka çuar në solidaritetin edhe të qytetit të Tiranës, ku kryebashkiaku Erion Veliaj ka dërguar staf dhe zjarrfikëse që të ndihmojnë në vënien nën kontroll të flakëve.

“Solidaritet me Shëngjinin/Lezhën. Jo vetëm lutjet e solidaritet me fjalë, Bashkia Tiranë nisi zjarrfikëse e staf për të ndihmuar Bashkinë Lezhë në betejën me zjarret! Kolegët tanë do bëjnë më të mirën, siç i ka hije Tiranës!”- shkruan Veliaj

Zjarri i rënë në Shëngjin ndodhet në kodrën sipër qytetit dhe po rrezikon varrezat e zonës. Sipas prefektit të qytetit, zjarri nuk rrezikon banesat por është duke u favorizuar shumë nga era. Për shkak të terrenit të vështirë kërkohet edhe ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit.

Memoriali turk te Liqeni, Veliaj: S’është hata, as tradhti. Tirana është zemërmadhe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi vendosjen e memorialit të Ambasadës Turke pranë Parkut të Liqenit Artificial, as tradhti dhe as një hata të madhe, pasi në atë vend ndodhin mbi 50 pika, ku përkujtohen ngjarje apo individë të ndryshëm. Veliaj tha se ky memorial nuk i prish punë askujt dhe se njerëzit të fokusohen tek fryma e bashkimit.

Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre. Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor. Të fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë. Tek Liqeni dhe në të gjithë Tiranën ka vend për të gjithë.” tha Veliaj i cili i bëri këto kombet gjatë vizitës që bëri në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar për festën e Kurban Bajramit.

Në Tiranë, me rastin e 3 vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, në 15 korrik të vitit 2016, është ngritur një Memorial kushtuar viktimave të asaj ngjarjeje dhe pati mjaft komente ne media lidhur me të.

Skip to toolbar