Merkel kërkon mbylljen e Reformës në Drejtësi, premton fonde dhe negociatat në mars

AKTUALITET


Gjermania do të japë kontributin e saj në fondet që do të mblidhen për Shqipërinë në konferencën e donatorëve në 17 shkurt në Bruksel, si dhe do të lobojë fort që negociatat me BE-në të hapen në muajin mars. Kancelarja gjermane Angela Merkel në takimin që zhvilloi të hënën në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama kërkoi përmbylljen sa më shpejt të Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, ka theksuar Merkel në takim, ndërsa ka dhënë garanci se Gjermania do të kërkojë në Këshillin e BE-së në mars hapjen e negociatave për Shqipërinë.

“Më lejoni të them se janë arritur shumë gjëra në lidhje me reformën në drejtësi. Kjo duhet të vazhdojë që reforma në drejtësi të përmbyllet, është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë.


Në emër të qeverisë gjermane dua të them se ne i përmbahemi perspektivës europiane të Shqipërisë dhe për Ballkanin Perëndimor. Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE dhe para se gjithash në Këshill në Mars të nisin negociatat për anëtarësim me Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Të dy vendet kanë arritje të mëdha edhe në Këshillin e fundit ne folëm për këtë dhe shpresojmë që në Mars të marrim rezultatet që dëshirojmë.

Nuk është në interes vetëm të vendeve të Ballkanit perëndimor por dhe në interesin tonë që të gjithë këto vende të bëhen pjesë e BE. Ai që e njeh situatën e përgjithshme e di mirë që është mirë që një ditë këto shtete të bëhen anëtare të BE. Meqenëse komisioni i ri europian thekson kriteret politike, ka më shumë arsye për ta çuar përpara këtë proces”, tha Merkel.

Ajo premtoi se Gjermania do të japë kontributin e saj në konferencën e donatorëve që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt për Shqipërinë.

“Gëzohem që sot kemi mundësi të shkëmbejmë mendime me kryeministrin Edi Rama në këtë fillim viti, por dhe të zhvillojmë bisedime dy palëshe.

Për mua është një nevojë e veçantë që përballë tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri ku shumë njerëz humbën strehën dhe pati një numër të lartë viktimash të organizohet konferenca e donatorëve dhe Gjermania do të marrë pjesë aty. Bashkëpunimi dhe ndihma e rajonit ishin impresionuese megjithatë tërmeti ishte goditje e rëndë për Shqipërinë”, tha Merkel.

Me nismën e presidentes së KE, Ursula Von Der Leyen në Bruksel do të zhvillohet një konferencë donatorësh të cilët do të japin kontributin e tyre financiar për Shqipërinë për të rimëkëmbur vendin pas tërmetit të 26 nëntorit. Fatura paraprake e qeverisë shqiptare është 1 miliard euro që i duhen vendit për t’u rindërtuar.

Berlin – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kancelaren Angela Merkel 🇦🇱 🇩🇪

Gepostet von Edi Rama am Montag, 27. Januar 2020



Skip to toolbar