Autopsia: Rezarta vdiq nga tymi

AKTUALITET


Rezarta Hajdari u helmua nga monoksidi i karbonit që ka lëshuar gjatë natës mangalli me qymyr që çifti mbajti ndezur në dhomën e gjumit. Ky është rezultati i autopsisë se mjekësisë ligjore që i është dërguar prokurorisë së Elbasanit dhe që rrëzon të gjitha dyshimet se vajza mund të kishte pirë helm dhe të ishte vetëvrarë. Madje rrëzon edhe akuzat e familjarëve të saj se nusja e re ishte helmuar nga familjarët e dhëndrit.

Rezarta dhe Olsi Hajdari u gjendën pa ndjenja në dhomën e tyre të gjumit vetëm 5 ditë pas dasmës së tyre. Rezarta kishte ndërruar jetë ndërsa Olsi u dërgua në spital në gjendje të rëndë por më pas u stabilizua dhe arriti të mbijetonte. Fillimisht u dyshua se çifti kishte tentuar të vetëvritej. Po ky dyshim u rrëzua nga Olsi Hajdari i cili pasi u stabilizua tha se s’kishin pirë asnjë helm.


Madje prindërit e Rezarta Hajdarit iu drejtuan policisë ku bënë denoncim për ngjarjen dhe hodhën akuza se vajza e tyre mund të jetë helmuar nga familjarët e dhëndrit. Megjithëse dhëndri i tyre Olsi Hajdari deklaroi pasi doli nga koma se kishin fjetur me një mangall me qymyr në dhomë dhe më pas nuk mbante mend asgjë, duke nënkuptuar se shkak për helmimin është bërë gazi që nxjerr qymyri gjatë djegies.

 “Ne hëngrëm darkë me familjen dhe vajtëm e u shtrimë. Morëm edhe një mangall me prush e vendosëm në dhomë dhe kaq. Asgjë tjetër nuk mbaj mend. Se si më kanë dërguar në spital, se kush më ka dërguar nuk di fare asgjë”, tregoi Olsi Hajdari pasi doli nga koma.

Këtë deklaratë të tij e konfirmon edhe rezultati i autopsisë që vërtetoi se Rezarta Hajdari është helmua nga monoksidi i karbonit.




Skip to toolbar