Mero Baze: Jepini ca të vdekur Lulzim Bashës t’i ketë për hall!

OPINION


Lulzim Basha filloi të kërkojë përsëri të vdekur shtesë si dikur votat jashtë kutive. Stabilizmi i shifrave të vdekjes tek rreth 20 vetë në ditë e kanë bërë përsëri të humbasë qetësinë.

Nuk di pse ndjehet mirë po të themi se kanë vdekur 30, 40 apo 50 vetë në ditë. Larg qoftë mund të vijë dhe ajo ditë, por do të jetë dramatike për të gjithë.


Mund të jetë dhe për të se dhe ai, nuk ka vetëm Kunat dhe vjehrrë. Ka dhe prindër, vëllezër, farefis, pavarësisht se ne i njohim vetëm fisin e gruas.

Këmbëngulja me të cilën ai kërkon të vdekur përditë, si korbat pas masakrave, është për t’u shënuar në historinë politike të këtij vendi si instalimi i nekropolitikës.

Pasi hoqi dorë nga ideja se të vdekurit nuk regjistroheshin dhe kartelat manipuloheshin, pasi u kërkoi falje mjekëve se nuk e kishte me ta, por me Edi Ramën, tani kërkon të ndryshohet klasifikimi dhe kushdo që ka vdekur të quhet se vdiq nga COVID që ai të ndjehet i qetë.

Eshtë i kotë debati publik me të. Eshtë i kotë dokumentacioni ligjor që shoqëron një të vdekur. Kur t’i ndodhë diçka në familje do ta kuptojë se sa letra do që ta përcjellë një të vdekur. Kështu që është e kotë të bësh betejë me të.

Do të ishte më e udhës që po me kaq cinizëm t’i kërkoni Lulzim Bashës një listë shtesë të vdekurish, çdo ditë dhe t’ia miratoni që ta zërë gjumi rehat.

Nuk e zë gjumi kur shikon se nuk vdesin shumë shqiptarë. Do që të jenë shumë. Plotësojani këtë dëshirë, se të sëmurëve u plotësohen dëshirat.

Ky e ka sëmundjen me kufoma fallco. Eshtë pak makabre por nuk është dhe aq problem. I thoni na sill çdo ditë një listë dhe lexojeni si listën e të vdekurëve të Lulzim Bashës. Ndoshta kështu shpëtojmë të gjithë nga ky refren i përditshëm i njeriut që i do shqiptarët të vdekur.




Skip to toolbar