Mero Baze: Rasti Sarkozy dhe Basescu, përballë aferës së klubit “Partizani”

OPINION


Një nga presidentët më karizmatikë të Francës, Nikolas Sarkozy, është dënuar me tre vite burg për influencë të pushtetit të tij në një çështje korruptive, ndërkohë që vajza e presidentit të Rumanisë, Ioanna Basescu, u dënua dje për pastrim parash, në një skemë të mundësuar nga pushteti i babait të saj.

Të dy dënimet, që i përkasin dy vendeve të Bashkimit Europian, njërit me demokraci të konsoliduar si Franca, dhe tjetri një vend i ngjashëm me Shqipërinë, por si anëtar i BE, nëse i bashkon, janë dënime për afera shumë më të lehta se dënimi që duhet të japë drejtësia shqiptare për historinë e klubit sportiv “Partizani”, ku kryeministri i vendit është kthyer në shërbëtor të familjes së vajzës së tij, për të grabitur një pronë që ishte shtetërore dhe më pas për të grabitur dhe vetë pronarët e vetëshpallur, duke kaluar si pronar nga 1 e 64 në 1 të 3 e pronës pas ndërtimit.


Sarkozy është dënuar se ka influencuar me pushtetin e tij në një aferë korruptive, kurse Sali Berisha ka drejtuar me vetëdije dhe nerv një proces korruptiv të zhvatjes së pronës publike, duke e ditur që gjithë procesi i kthimit ishte i mbështetur mbi fallsifikim.

Arkiva e Shtetit, e drejtuar nga babai i dhëndrit të tij, ka pranuar se tokat janë shpronësuar nga Qeveria italiane gjatë luftës për llogari të aeroportit dhe pronarët janë dëmshpërblyer. Ajo pronë është pronë e shtetit shqiptar.

Akuza e parë që bie mbi Sali Berishën është që edhe duke pasur dokumentin zyrtar të Arkivës së Shtetit, firmosur nga krushku i tij, që ajo është pronë e shpronësuar me pagesë, ka lejuar me vetëdije të transferohet tek familja e vajzës së vet.

Pikërisht pse ka qenë pronë e paligjshme, dhe për këtë pronarët kanë qenë të vetëdijshëm, ata i janë nënshtruar sistemit të gjobave të dhëndrit të tij, në çdo hap administrativ që është bërë me urdhër të Sali Berishës, për t’i dhënë atij një tarifë shërbimi, e cila e çoi atë pronar të 35 për qind të kullave që ndërtohen aty.

E ngjashme është dhe historia e vajzës së presidentit rumun, për pastrim parash. Milionat e paligjshme të korrupsionit të familjes Berisha janë pastruar në këtë skemë korruptive, ku një kompani e formuar me një mijë euro, bëhet pronare e miliona eurove në fund të procesit.

Sali Berisha dhe familja e vajzës së tij, bashkojnë në një çështje të vetme, dy dënimet e fundit të dhëna, në dy vende të Bashkimit Europian, dy ditët e fundit.

Vetë Sali Berisha duhet të akuzohet për influencë të pushtetit në një një çështje korruptive, në interes të familjes së vajzës, ndërsa familja e vajzës së tij, përveç falsifikimit të dokumenteve zyrtare, duhet të përballet me akuzën e pastrimit të parave.

Nëse SPAK e ka të vështirë të ngrejë akuzën, le të lexojë dosjen e Sarkozisë dhe atë të vajzës së persidentit rumun, për të kuptuar se si duhet të bëhemi një vend i Bashkimit Europian.

Është shumë e thjeshtë, nëse kanë kanë vendosur të bëjnë drejtësi. I kanë shembujt nga Bashkimi Europian.




Skip to toolbar