Mero Baze: Vera e vitit 1996 dhe vera e vitit 2019!

OPINION


Mero Baze

Vera e vitit 1996, ka qenë një verë e nxehtë për socialistët shqiptarë. Më 26 Maj ata kishin braktisur zgjedhjet në mesditë, pas brutalitetit të qeverisë për të kontrolluar zgjedhjet dhe pas kësaj çdo gjë kishte dalë nga kontrolli. PD rrëmbeu rreth 125 mandate, dhe të tjerat i la për disa parti të vogla aleate. Socialistëve u lanë 10 deputetë, të cilët nuk pranuan t’i marrin mandatet përveç njërit.

Por pas këtij momenti, brenda socialistëve, në vend të radikalizimit, nisi një debat i madh, i vështirë dhe delikat mbi të ardhmen e partisë. Fatos Nano nga burgu dhe Ilir Meta jashtë tij, me njerëzit e vet dhe Berishën pas, u përballën në Kongresin e gushtit në një betejë të pazakontë, pasi Fatos Nano nga burgu kërkoi reforma rrënjësore në parti, që përfunduan me marrjen pjesë në zgjedhjet lokale në tetor në kushte tërësisht diskriminuese.

Njeriu që në fakt ishte viktimizuar në emër të PS dhe po e drejtonte atë nga burgu, duhet të ishte më pak i interesuar për ndryshime aq radikale në parti, pas një zhvillimi që ja kishin diktuar kundërshtarët. Por e bëri me shumë guxim.

Sali Berisha u përpoq të kontrollonte betejën e tyre përmes Ilir Metës, por nuk ia doli dot. Dëshpërimi për atë që ndodhi më 26 Maj, u kthye në një betejë të madhe brenda tyre, për ndryshime rrënjësore dhe dominuan skenën politike të verës së vitit 1996.

Kjo u dha opozitarëve të asaj kohe, një energji të re, dhe një shpresë se do t’ia dilnin. Ishte një verë e nxehtë ku flitej çdo ditë për socialistët edhe pse ata ishin jashtë Parlamentit.

Vera e vitit 2019, e gjen opozitën e sotme shqiptare shumë me keq se më 1996. E gjen në rrugë, jashtë Parlamentit, jashtë bashkive, jashtë sistemit politik, jo për faj të kundërshtarit, por për shkak të vendimeve personale të lidershipit të opozitës, të cilët tentuan në një farë mënyre të marrin pushtetin në tavolinë, duke gjunjëzuar kundërshtarin me metoda revolucionare.

Sot janë tërësisht jashtë sistemit dhe demokratët shqiptarë janë në depresion për shkak të këtij bilanci.

Por ndryshe nga socialistët e vitit 1996, të cilët edhe pse nuk ishin fajtorë për atë që ndodhi, gjetën forcë ta fillonin nga vetja ringritjen, demokratët e vitit 2019, janë të dënuar të vazhdojnë të dëgjojnë Lulzim Bashën që regjistron kaseta dhe i çon me një javë vonesë nëpër TV, duke ju premtuar për herë të tretë brenda vitit, se do të bëjë revolucion dhe fatin do ta marrë populli në dorë.

Kjo është një dozë e re depresioni që e rëndon dhe më shumë atë që ka ndodhur me opozitën prej shkurtit të këtij vitit, kur ajo filloi daljen jashtë sistemit. Kjo e bën të padurueshme verën e vitit 2019, për çdo opozitar.

E bën të pashpresë, të pasigurtë dhe të paqëndrueshme fuqinë e tyre politike. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë aq më shpejt do t’i largohet  këtij depresioni që Lulzim Basha, po ua ofron, si recetën e vetme për këtë verë, duke i gënjyer tre herë njësoj dhe duke u kërkuar tre herë njësoj, të bëjnë revolucion për ta sjellë atë në pushtet.

Tani kjo sjellje nuk është më vetëm poshtëruese. Është më shumë se kaq. Është një tallje torturuese me njerëzit që vërtet ndjehen të përjashtuar nga politika për shkak të tij, dhe që ai i shëtit “burim më burim”, duke mos i lënë të pinë ujë.

Nëse demokratët dëshirojnë që të shmangin këtë depresion, duhet të mos e lejojnë këtë njeri t’i bëjë të flasin me vete. Duhet të flasin me njëri- tjetrin me zë të lartë, se si duhet të ngjallin shpresën brenda vetes. Ndryshe do të duhet të presin gjatë të dalin nga ky depresion. Ndoshta kurrë!



Skip to toolbar