Tirana rikthehet të fitojë një ndeshje derbi ndaj Partizanit pas gati 6 vjetësh. Skuadra bardheblu arriti të mposht “mallkimin” që e përndiqte që prej vitit 2014, duke mos fituar ndaj rivalëve të përjetshëm të saj, Partizanit. Golat e Bathës dhe Kobinës do të futen në historinë e ekipit bardheblu, pasi i dhanë fitoren 2-1 Tiranës ndaj Partizanit në ndeshjen e par derbi që u zhvillua në “Air Albani Stadium”.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll në barazim 1-1. Ndeshja nisi me dy gola të shënuar brenda 10-të minutave të para të lojës. Sapo nisi loja, të dyja skuadrat nisën sulmin në portat kundërshtare. Ndaj nuk zgjati shumë dhe erdhi zhbllokimi i rezultatit.
Një gol i shënuar nga Idi Batha i dha avantazhin Tiranës në minutën e 7 ta takimit. Mesfushori bardheblu shënoi pas një asisti të bukur nga Torasa, ndërsa Batha me kokë gjeti cepin e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. Por festa zgjati vetëm tre minuta. Partizani u rikthye në sulm për të vendosur barazpeshën.
Në të 10`, ishte Bardhi që tundi rrjetën e Likës. Sulmuesi i të kuqve shënoi pas një rrëmuje në zonë dhe mos kontrolli të topit mirë nga portieri bardheblu. Megjithatë, skuadra e Tiranës pretendon për një pozicion jashtë loje, por gjyqtarët e takimit vendosën të quajnë të rregullt golin. Ndërkohë, atmosfera në “Air Albania Stadium” është fantastike.
Pas shënimit të dy golave, ndeshja ka qenë e ekuilibruar por me ritëm të lartë. Të dyja ekipet kanë shkuar disa herë në portat kundërshtare, por pa arritur të ndryshonin rezultatin. Në pjesën e dytë rivaliteti ishte përsëri në nivele të larta, shoqëruar kjo edhe nga atmosfera e krijuar nga tifozët. Megjithatë, ekipi bardheblu e kërkoi më tepër golin dhe në fund nuk u zhgënjye.
Ishte mesfushori Kobina ai që kaloi 24 herë kampionët në avantazh në minutat shtesë të takimit, duke i dhuruar një fitore historike. Kobina festoi duke hequr fanellën, ndërsa gjyqtari e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë. Kështu, ekipi bardheblu jo vetëm që merr një fitore historike, por ngjitet në renditje me 22 pikë, 3 më pak se Partizani që kryeson kampionatin.