Merret në mbrojtje Izet Haxhia, do të flasë kundër Berishës

AKTUALITET


Avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri njofton se klienti i tij është marrë në mbrojtje nga shteti dhe së shpejti do të rifillojë deponimet kundër ish  kryeministrit Sali Berisha. Akuzat e tij kundër Berishës u ndërprenë pas një incidenti që pati me makinën e policisë që po e transportonte e cila bëri një manovër të papritur dhe si pasojë u lëndua në kokë Izet Haxhiaj. Kjo u cilësua nga avokati i tij si përpjekje për ta eleminuar Haxhiajn, ndërsa për këtë akuzoi ish kryeministrin Berisha. Avokati Idajet Beqiri njofton se ka nisur një hetim për grupin e policëve që shoqëronin Izet Haxhinë më 9 tetor.

Izet Haxhia ka kallëzuar, shefin e grupit të shoqërimit me origjinë nga Tropoja, të cilin e akuzon për aksident të qëllimshëm të makinës teksa ai transportohej me pranga në duar nga burgu 302 në rrugën Mine Peza për në Prokurorinë për Krime të Rënda. Beqiri ka treguar se gjatë dhënies së dëshmisë, Haxhia ka rritur akuzat ndaj Berishës, nga 23 që ishin në dhjetor 2018 në 30 të tilla.


“Pas incidentit të rëndë të datës 9 tetor 2019 kundër Izet Haxhisë dhe fillimit të procedimit penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë ngjarje, si dhe pas ndërprerjes për një javë të deklarimeve të këtij dëshmitari okular kundër Sali Berishës për krimet e kryera gjatë viteve 1991-1999, institucionet përkatëse, duke filluar nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit dhe deri te Ministria e Drejtësisë, kanë marrë një serë masash në mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së Izet Haxhisë dhe të fejuarës së tij Eriona Paruca.

Janë marrë masa të posaçme sigurie në Burgun 302 ndaj Izet Haxhisë. Thuajse ka ndryshuar plotësisht i gjithë regjimi i ruajtjes së tij, i kontrollit të ushqimit, i shoqërimit të tij në takimet me avokatin, me të fejuarën e tij, gjatë komunikimeve telefonike etj.

Në kushtet kur veç avokatit të tij, i vetmi person që po i qëndron pranë, që plotëson nevojat e tij dhe që ndihmon  Izet Haxhinë është e fejuara e tij, Eriona Paruca, janë eleminuar plotësisht incidentet e qëllimshme kundër saj në raport me takimet dhe kontaktet me Izet Haxhinë si dhe janë marrë me seriozitetin e duhur dhe po trajtohen ligjërisht të gjitha kërcënimet e rënda, fyerjet, poshtërimet dhe kanosjet për vrasje që i janë bërë asaj prej disa individëve konkret dhe anonim në faqet e facebook, në telefon etj.

Unë, si përfaqësues dhe mbrojtës ligjor i Izet Haxhisë, si dhe vet Izet Haxhiaj, i kemi kërkuar prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që, për vet natyrën e deponimeve të Izet Haxhisë, për krimet e rënda që janë kryer dhe që po zbardhen prej tij, për subjektin kryesor, autorin e kryerjes së këtyre veprave me rrezikshmëri të lartë dhe pasoja të rënda për Shqipërinë, siç është ish Presidenti i Republikës Sali Berisha, për rrezikshmërinë potenciale që paraqet ai edhe aktualisht në zhdukjen e provave dhe të dëshmitarëve okularë, t’i jepet Izet Haxhisë Statusi i të mbrojturit të drejtësisë.

Të përgjegjshëm se një vendimarrje e tillë për t’i dhënë Izet Haxhisë Statusin e të mbrojturit nga drejtësia do kohën dhe procedurat e veta, ditën e premte që kaloi, pas takimit me oficerin e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në ambjentet e Burgut 302 në Tiranë, i deklaruam atij se Izet Haxhiaj do të vazhdojë rregullisht deponimet e tij, si më parë, pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke filluar nga dita e sotme dhe ditët në vijim”, njofton avokati i tij Idajet Beqiri.

Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha është përgjegjës për shumë ngjarje të rënda të ndodhura në Shqipëri.




Skip to toolbar