Meta e nis në sulm: Kuvendi e bëri gjykimin para hetimit

POLITIKË


Kreu i Shtetit, Ilir Meta e ka nisur fjalën e tij në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, me argumentimin se paraqitet për të treguar respekt ndaj institucionit, por sipas tij, Kuvendi e bëri gjykimin para hetimit me nxjerrjen e rezolutën për Presidentin e Republikës.

Ka qenë Ulsi Manja, kryetari i këtij komisioni ai që hapi mbledhjen, ndërsa në unanimitet u ra dakord dhe rendi i ditës. Manja sqaroi edhe planin që do të ndjekë ky komision, ndërsa i shpjegoi kreut të shtetit procedurat që do të ndiqen.

Manja më pas, ia ka dhënë fjalën Metës, për të dhënë argumentet e tij për mbrojtjen e vet, i cili që në fillim ka treguar paragjykimin për vendimin e komisionit. “Gjykova tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme që të jem këtu, sepse kam bindje të plotë që çdo politikan, aq më tepër kryetari i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve dhe të japë shembullin e bashkëpunimit por së dyti e jam i bindur që pavarësisht se Kuvendi e ka bërë gjykimin para e të nisë hetimin, përmes rezolutës, në interes edhe të transparencës edhe të ndriçimit të cështjeve që kanë të bëjnë me vendimmarrjen për të dhënë të dhëna të tjera që mendoj se u shërbejnë të gjithëve për tu qartësuar më shumë”, tha Meta.

Presidenti ka theksuar gjate fjalës se tij, se “Duke nxjerrë dekret ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe ka shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat. Kjo ishte sa i takon të drejtës së zgjedhjes, nëse e ka respektuar, mbrojtur, apo e ka cenuar apo dëmtuar të drejtën e zgjedhjes së shqiptarëve”, deklaroi ai.

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se veç Kushtetutës së Shqipërisë, është bazuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe në marrëveshjen e stabilizimin asocimit për vendimet e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Para komisionit hetimor për dekretet e tij, Presidenti tha se detyra e tij është të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Duke thënë se në themel të kushtetutës është pluralizmi politik ai tha se qytetarëve u duhej bërë e qartë dallimi mes votimeve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Duhet të kemi parasysh se nuk ka shumë hapësira për të bërë interpretime se çdo të thotë të zgjedhësh, pasi Kushtetuta është e qartë, por edhe detyrimet që Shqipëria ka si vend që ka nënshkruar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e sqarojnë shumë mirë këtë. Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 2015 mori një vendim, i cili ka ardhur si rezultat i shqyrtimit të një çështjeje të ngjashme, ku disa shtetas bullgarë me origjinë turke kanë pretenduar shkeljen e të drejtës së votës. Gjykata tha: “Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, ndryshe edhe rendit demokrat do t’i mungonte e drejta në substancën e saj”. Për këtë çështje Bullgaria u dënua me një gjobë të caktuar. Besoj është e qartë që Presidenti mbrojti të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve me dekretin, duke shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat”, deklaroi Meta.

“Presidenti e ka për detyrë më shumë sesa vetë qeveria që të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, për këtë arsye mandati i presidentit është 5-vjeçar ndërsa i qeverise 4-vjeçar, që të garantojë vazhdimësinë e detyrimeve ndërkombëtare. Përpara këtij parimi kushtetues çdo lloj afati është tërësisht sekondar, ndërsa parësore është mbrojtja e të drejtës për zgjedhjeve. Askush më shumë se gjykata evropiane e të drejtave të njeriut, nuk mund ta sqarojë më qartë këtë të drejtë të zgjedhjes”, tha kreu i shtetit.



Skip to toolbar