Meta kundër MAS, lë Mynyr Konin ende në detyrë

Më të fundit


Presidenti Ilir Meta ka dekretuar rrëzimin e propozimit të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ka qenë vetë Ministrja e Arsimit, Besa Shahini që në një deklaratë për mediat shkarkoi rektorin Mynyr Koni dhe kërkoi nga Meta që të miratonte këtë vendim.

Mirëpo presidenti përmes një arsyetimi të gjatë ka shpjeguar pse nuk e pranon shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës duke e lënë atë ende në detyrë.


Meta sqaron se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta. Gjithashtu ai vlerëson se palët duhet t’i drejtohen gjykatës kompetente për të zgjidhur këtë konflikt dhe nëse ende nuk e kanë bërë, ato mund t’i drejtohen aktualisht.

DEKRET PËR RRËZIMIN E PROPOZIMIT TË MINISTRIT TË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, Z. MYNYR KONI

Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, nenit 39, pika 8, 10 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, pasi shqyrtova propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019,

Dekretoj;

Neni 1

Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Neni 2
Vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26.05.2016.

Neni 3
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 11183
Tiranë, më 06.05.2019




Skip to toolbar