Meta merr malet zbathur dhe sulmon Palmer: Ja keni kaluar Ramës për njëanshmëri

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka shtuar dozën e sulmit kundër SHBA-së në një përgjigje të drejtëpërdrejtë që i ka kthyer zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer.

Teksa ka postuar një video ku shfaqet duke ngjitur malet këmbëzbathur, presidenti megjithëse nuk përmend emra i drejtohet “të paanshme” në këtë krizë, duke shkruar se ata ia kanë kaluar edhe Ramës për njëanëshmërinë e tyre.

Meta gjithashtu shkruan se përse këta të paanshmit nuk e shohin zgjidhjen  e krizës tek propozimi i bërë nga Meta si presidenti (një institucion që ekziston), por presin që zgjidhja të vijë nga një institucion që nuk ekziston, si për shembull Gjykata Kushtetuese.

“Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar?

Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?”, shkruan presidenti Meta në facebook.

Në intervistën e dhënë dy ditë më herët tek Zëri i Amerikës, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Mathew Palmer tha se në zgjidhjen e krizës SHBA nuk mban anën e askujt, kur u pyet nëse po mbështetet kryeministri Rama.

” Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, tha Palmer.

Ai gjithashtu tha se SHBA presin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, dhe ajo do të thotë fjalën e fundit përsa  i përket 30 qershorit.  Palmer ka përdorur shprehjen në anglisht Supreme Court, që në shqip fjalë për fjalë përkthehet Gjykata më e Lartë që në Shqipëri është Gjykata Kushtetuese dhe jo Gjykata e Lartë dhe kjo është sqaruar në intervistën e zbardhur nga VOA më vonë.

“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë (shënim: referencë për Gjykatën Kushtetuese). Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë që të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”, është shprehur Palmer.

Pra SHBA pret që për 30 qershorin të vendosë Gjykata Kushtetuese, po për presidentin Meta ky institucion nuk ekziston.

Ambasada e SHBA dhe Palmer më herët kanë njohur zgjedhjet e 30 qershorit, duke zhvlerësuar dekretin e Metës për zgjedhje në 13 tetor, qëndrime këto që duket se kanë nervozuar presidentin Meta i cili vazhdon të këmbëngulë se 13 tetori është zgjidhja e krizës në vend.

Mirëmëngjes të dashur miq!Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar?Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?Ju uroj një fundjavë të mbarë!

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 2. August 2019


Skip to toolbar