Ish-kryeministri suedez impresionohet nga Shkodra

AKTUALITET


Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, i cili dikur deklaronte se “Shqipëria është në prag kolapsi” ka zgjedhur të vizitojë qytetin e Shkodrës në këto ditë gushti.

Vetë politikani i njohur evropian ka postuar një foto në të cilën shkruan impresionet e tij për qytetin e lashtë të Shqipërisë dhe sugjeron se ia vlen të vizitohet pasi është një qytet interesant.


“I ndodh njeriut të përfundojë në Shkodër. Por ia vlen është një qytet interesant”.

Në statusin e këtij të fundit ka reaguar ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili i jep disa këshilla dhe lavdëron qytetin e origjinës së tij, aty ku edhe ka dalë deputet:

“Shkodra është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. Një qytet që kombinon trashëgiminë astro-hungareze me atë Veneciane dhe otomane. Plus atë të socializmit sigurisht. Ka pafund gjëra për të parë në qytet dhe zonat përreth”, shkruan Bushati.

Bushati para pak ditësh u shkarkua nga detyra për Shkodrën, por në të vetmin koment që ka dhënë për median ka thënë se, nuk janë ofiqet që e pengojnë të vazhdojë ta mbështesë Shkodrën. Dhe mesa duket ky ishte një rast për ta promovuar atë!

Ndërsa Carl Bildt ka shërbyer si kryeministër i Suedisë në vitet 1991-1994 dhe si ministër i Jashtëm në vitet 2006-2014. Aktualisht është bashkë-kryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

Rreth dy vite më parë zyrtari i KE-së deklaroi se Shqipëria është në prag të një kolapsi politik, por përgjigjen e mori menjëherë nga Kryeministri Edi Rama i cili shkroi në twitter se Shqipëria qëndron e fortë si shkëmb. “I dashur Carl Bildt, Shqipëria qëndron si shkëmb! Ne po ndërtojmë shtet dhe askush nuk na largon nga rruga jonë drejt drejtësisë, rritjes dhe punës”, shkruan Rama.




Skip to toolbar